Umare ibn Hazmi – radijallahu anhu – Sahabi që pengonte realizimin e çdo përpjekjeje të përçarësve

0

Nga Mustafa Erish

Umare ibn Hazmi (r.a.), ishte një besimtar që punoi dhe u përpoq fort për përhapjen e Islamit në Medinë, gjithashtu ishte ndër iniciatorët e luftës kundër idhujve!

Ai ishte luftëtari që mbajti flamurin e Beni Malikë­ve, në çlirimin e Mekës dhe në luftën e Tebukut!

Umare ibn Hazmi (r.a.), ishte një sahab fatlum sepse qe pjesëmarrës në besëlidhjen e dytë të Aka­besë, në të cilën një grup prej shtatëdhjetë e pesë vetash dhanë besën për ta mbrojtur, deri edhe me jetën e tyre, të Dërguarin e Allahut, (a.s.)!

Umare ibn Hamzi (r.a.), lindi dhe u rrit në Me­dinë. Ai ishte prej Beni Nexharëve, që ishin pjesë e fisit Hazrexh, i cili në atë kohë ishte njëri prej dy fiseve më të mëdha në Medinë. Babai i tij ishte prej të parëve të fisit, njeri i nderuar dhe i respektuar. Nëna e tij ishte Halide binti Ebu Unejsi, prej Beni Saidëve.

Umare ibn Hazmi (r.a.) u nderua me hyrjen në Islam në sajë të predikimit dhe thirrjes islame, e cila filloi në Medinë pas rikthimit të myslimanëve që morën pjesë në besëlidhjen e parë të Akabesë. Ai vetë mori pjesë në besëlidhjen e dytë të Akabesë, që u zhvillua një vit më pas. Ai ishte pjesë e grupit prej shtatëdhjetë e pesë vetësh, të cilët e ftuan në Medinë të Dërguarin e Allahut, (a.s.), dhe i dhanë besën për ta mbrojtur deri edhe me jetët e tyre!

Umare ibn Hamzi (r.a.), ndihmoi shumë në për­hapjen e Islamit në Medinë. Ai ishte fqinj me Ebu Ejjub el-Ensariun (r.a.). Kur i Dërguari i Allahut, pa­qja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, u vendos në shtëpinë e Ebu Ejjub el-Ensariut (r.a.), ai përfitoi nga kjo afërsi në formën më pozitive të mundshme. Umare ibn Hamzi (r.a.), e vizitonte shpesh të Dër­guarin e Allahut, (a.s.). Në këtë mënyrë, pati fatin t’i qëndronte tepër afër dhe t’i shërbente Pejgamberit tonë të nderuar. (Ibn Sa’d, III, 486.)

Ai e ftonte shpesh Pejgamberin e Allahut, (a.s.), në shtëpinë e tij dhe hanin së bashku. Ai i bënte dhurata të Dërguarit të Allahut, (a.s.). Dashurinë që ndjente në zemër për Pejgamberin (a.s.), për­piqej ta tregonte duke i shërbyer dhe duke i bërë dhurata, madje, herë pas here bënte edhe shaka me të Dërguarin e Allahut, (a.s.).

Umare ibn Hazmi (r.a.), i kishte caktuar vetes, si detyrë parësore, mbrojtjen e të Dërguarit të Allahut, (a.s.). Sa herë që dëgjonte ndonjë lajm të dyshimtë, ai rrinte roje tek dera, gati për mbrotje ndaj çdo rreziku që mund të vinte nga çifutët dhe politeistët. Pejgamberi e shpalli atë vëlla me Muhriz ibn Nadle (r.a.), i cili ishte një prej muhaxhirëve.

Umare ibn Hazmi (r.a.), mori pjesë në të gjitha luftërat, duke filluar që nga lufta e Bedrit, Uhudit dhe Hendekut. Ai ndërmori gjeste heroike të mëdha nëpër mejdanet e luftërave.

Umare ibn Hazmi (r.a.), ishte i njohur për gaz­moret e tij. Edhe vetë i Dërguari i Allahut, (a.s), qe prezent në shakanë që Umare ibn Hazmi (r.a.), i bëri Zejd ibn Thabitit (i cili në atë kohë ishte ende një djalosh), ndërsa po gërmonin për të hapur he­ndekun.

Ngjarja ndodhi si më poshtë:

Të gjithë myslimanët, të mëdhenj e të vegjël, mo­rën pjesë në aksionin e nevojshëm për të hapur hendekun. Zejd ibn Thabitin (r.a.), i cili ishte një djalosh rreth të pesëmbëdhjetave, e zuri gjumi nga që ishte lodhur duke gërmuar e duke ngarkuar dhé. Sahabët e nderuar u treguan të mëshirshëm kundrejt tij dhe e lanë të flinte në një cep të hendekut. Ndër­kohë vetë përparuan edhe më shumë në punime. Umare ibn Hazmi (r.a.) shkoi pranë Zejdit dhe, për të bërë shaka, ia mori armët dhe ia fshehu.

Kur Zejdi (r.a.), u zgjua dhe nuk i pa armët pranë, filloi t’i kërkonte rreth e rrotull i shqetësuar. Pasi nuk i gjeti, filloi të shqetësohej edhe më tepër, si dhe të frikësohej. Kur e dëgjoi këtë ngjarje, i Dërguari i Allahut, (a.s), e thirri Zejdin pranë vetes dhe iu drejtua me një fytyrë të buzëqeshur:

“O gjumash! Ti u zhyte në gjumë e kështu të hu­mbën edhe armët!”

Pastaj u kthye nga sahabët dhe i pyeti: “A ka ndo­një që e di se ku ndodhen armët e këtij djaloshi?”

Umare ibn Hazmi (r.a.), menjëherë u ngrit në këmbë dhe pohoi: “O i Dërguari i Allahut! Armët i kam unë.”

I Dërguari i Allahut, (a.s.), i tha Umares: “O Uma­re! Dorëzoja armët djalit!”

Pastaj iu kthye sahabëve, duke i udhëzuar me një rregull që duhet ta zbatonin përgjatë gjithë jetës dhe që këshillonte se “nuk ishte i drejtë frikësimi i myslimanit apo fshehja e sendeve të tij, qoftë edhe për shaka”. (Vakidi, II, 448; Hakim, III, 476.)

Umare ibn Hazmi (r.a.), mbajti flamurin e Beni Malikëve në ditën e çlirimit të Mekës dhe në luftën e Tebukut. Ai nuk lejoi të krijohej asnjë mundësi që hipokritët të shkaktonin përçarje përgjatë udhë­timit. Hipokritët, që gjendeshin në njësinë e tij, i përjashtoi.

Hipokritët, që morën pjesë në luftën e Tebukut, nuk reshtnin në tentativat e tyre për të krijuar për­çarje e prishje dhe shpërfaqnin hipokrizitë e tyre kurdo që u jepej mundësia. Ndër ta radhitej edhe Zejd ibn Lusajti, i cili kishte origjinë çifute. Ai e shfrytëzoi ngjarjen e humbjes së devesë së të Dër­guarit të Allahut, (a.s.), dhe filloi të nxiste përçarje. Ironizonte mbi faktin se Profetit i vinin lajme nga qielli, por se nuk e gjente dot as devenë e vet. Kjo ishte strategjia, përmes së cilës u përpoq të përhapte dyshime në lidhje me profecinë e të Dër­guarit të Allahut, (a.s.). I gjendur përballë kësaj tradhëtie, Umare ibn Hazmi nuk arriti ta kapërcejë dot padrejtësinë dhe mori menjëherë vendimin që të përjashtojë Zejd ibn Lusajtin nga njësia e tij. Atë e njoftoi se, pas kësaj ngjarjeje, nuk mund të vazhdonte më udhëtimin së bashku me ta. (Ibn Hisham, IV, 166-167.)

Umare ibn Hazmi (r.a.), transmetoi tri hadithe nga i Dërguari i Allahut, (a.s.):

– Umare ibn Hazmi (r.a.), transmeton: I Dërguari i Allahut, (a.s.), më pa duke qëndruar mbi një varr dhe më sqaroi: “Largohu nga varri, sepse po e mu­ndon të ndjerin që prehet aty!” (Hakim, III, 682.)

– Umare ibn Hazmi (r.a.), transmeton se i Dër­guari i Allahut, (a.s.), ka sqaruar: “Ekzistojnë katër veprime të cilat duhen përmbushur, si kusht që një individ të konsiderohet prej myslimanëve. Ai që e lë pa kryer njërin prej tyre, tri të tjerët nuk i bëjnë plotësisht dobi.”

Transmetuesi sqaron më tej: “Umares i kërkova të m’i cilësonte këto katër veprime. Ai m’u përgjigj: “Namazi, zekati, agjërimi i Ramazanit dhe haxhi.” (Usdu’l-Gabe, IV, 129.)

– Edhe hadithi i tretë transmetohet brenda një ngjarjeje të tillë:

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, vazhdimisht i ka inkurajuar shërbimet ndaj dijes dhe Kuranit Fisnik. Ai (a.s.), gjithmonë iu ka dhënë kudo vlerë dhe përparësi njohësve të mirë të Kuranit. Kur u nisën për në luftën e Tebu­kut, flamurin e Beni Nexharëve ia dha Umare ibn Hazmit (r.a.). Më pas, kur vuri re Zejd ibn Thabitin (r.a.), ia mori flamurin Umares (r.a.) dhe ia kaloi atij. Umare ibn Hazmi (r.a.), e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A jeni zemëruar me mua?”

Pejgamberi ynë i nderuar iu përgjigj:

“Jo! Për Zotin nuk jam zemëruar, por edhe ju duhet të zgjidhni Kuranin! Zejdi ka mësuar më shumë Ku­ran se ti. Ata që e kanë mësuar Kuranin më shumë, edhe në qofshin robër të zinj me hundë të prerë, zgjidhen kundrejt të tjerëve!”

Edhe fisin Evs dhe Hazrexh e urdhëroi që flamujt t’ia besonin atyre që njihnin më shumë prej Kuranit Fisnik. Nisur nga ky urdhër, flamurin e Beni Aufit e mbajti Ebu Zejdi (r.a.), ndërsa flamurin e Beni Selimesë e mbajti Muadhi (r.a.).

Umare ibn Hazmi (r.a.), u martua me nënën e Zejd ibn Thabitit (r.a.), Nevvar binti Malik ibn Sir­ma. Prej kësaj martese lindi një djalë, të cilin e quajtën Malik.

Umare ibn Hazmi (r.a.), ka qenë prezent edhe në haxhin e Lamtumirës. Ndërsa, pasi ndërroi jetë i Dërguari i Allahut, (a.s.), qe ndërmjet atyre që i dhanë besën të parët Ebu Bekrit, (r. a.).

Umare ibn Hazmi (r.a.), qe pjesmarrës në ushtrinë që komandonte Halid ibn Velidi (r.a.), së cilës iu dha si detyrë mposhtja e Musejlimetu’l-Kedhdhabit. Ky i fundit pretendonte se ishte pejgamber. Umare ibn Hazmi (r.a.), ra dëshmor në luftën e Akrabasë, në Jemame. Kjo luftë përfundoi me vrasjen e Mu­sejlimesë në vitin 633. (Isabe, IV, 476.)

Allahu qoftë i kënaqur prej tij! Allahu Teala na e mundësoftë të gjithëve ndjesinë e dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, (a.s.), ashtu siç e ndjente edhe Umare ibn Hazmi! Amin!

Leave A Reply