Stolia e të gjitha veprave të mira

0

Nga Xhafer Durmush

Në suren Ahzab thuhet: “Me të vërtetë që për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe be­simtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindu­rat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirë­bërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nde­rit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (Ahzab, 35)

Ajeti fisnik njofton se burrat dhe gratë që i pose­dojnë dhjetë cilësi të cilat radhiten aty, do të arrijnë faljen hyjnore dhe një shpërblim madhështor. Për­gëzimi hyjnor në këtë ajet është një mirësi e veçantë për gratë edhe pse ajeti i përfshin edhe burrat, edhe gratë, sepse në përgjithësi Kuranit Fisnik nuk e ka bërë një ndarje të tillë. Ndërsa këtu gratë janë për­mendur për çdo cilësi. Njërën prej urtësive të kësaj e gjejmë në transmetimet e ardhura në lidhje me shkakun e zbritjes së ajetit fisnik: Ummu Umare (r.anha), një ditë i tha Resulullahut (a.s.): “O i Dër­guari i Allahut! Shoh se në Kuran gjithmonë flitet për burrat dhe se nuk flitet shumë për gratë.” Nisur nga kjo, zbriti ky ajet fisnik. Sipas një transmetimi tjetër, Ummu Seleme (r.anha), i tha Pejgamberit (a.s.): “O i Dërguari i Allahut! Burrat dalin për luftë, luftojnë dhe bien dëshmorë. Ndërsa ne nuk mund t’i bëjmë këto. Përveç të tjerash, në trashëgimi neve na jepet gjysma e pjesës që u jepet burrave. Ah sikur edhe ne të ishim burra.” Nisur nga kjo, zbriti ky ajet fisnik.1

Për mendimin tonë, radhitja e dhjetë cilësive të lavdëruara këtu është e rëndësishme dhe interesan­te. Bazuar në këtë, hyrja në rrugën që i shpie be­simtarët te shpërblimi madhështor është e mundur vetëm duke hyrë në rrethin e Islamit. Domethënë, së pari Islami, pastaj besimi. Të besuarit me sinqeritet ndaj bazave të akides të cilat e plotësojnë besimin dhe obligimeve që vijnë bashkë me to. Pastaj vjen vazhdueshmëria me vendosmëri ndaj adhurimeve. Pastaj të qenët i drejtë në të gjitha veprimet dhe të jetuarit me besnikëri siç i ka hije myslimanit. Pastaj zbatimi i urdhrave të fesë që i duken të vështira nef­sit dhe shfaqja e durimit për t’u larguar nga gjërat e ndaluara. Pastaj vjen respekti ndaj Allahut (xh.xh.). Pastaj vjen frenimi i ndjenjës për të mbledhur sa më shumë pasuri duke dhënë sipas mundësisë. Pastaj vjen frenimi dhe edukimi i nefsit me agjërim. Pastaj mbajtja e nderit ndërkohë që kryhen këto. Ajo që i ka hije myslimanit është që të jetojë me nder dhe dinjitet.

Këtu ka edhe një cilësi tjetër e cila i përsos të gjitha këto. Ajo është stolisja me dhikër e të gjitha veprave të mira që janë përmendur apo jo në këtë ajet. Shumë interesant është fakti se cilësia e dhjetë e cila i shpie be­simtarët te shpërblimi i madh është shprehur në formën “për­kujtuesit e përkujtueset”. Kra­has kësaj, kjo cilësi nuk është kufizuar me ndonjë rregull, por është theksuar në formën: “Për­kujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset.”

Po, besimtarët duket t’i pose­dojnë në kuptim të plotë këto cilësi dhe virtytet e tjera islame që vijnë prej tyre. Gjëja e parë që na thuhet në ajet është kjo. Ndërsa e dyta: Dhikri është një shije dhe stoli që mund t’i shto­het çdo vepre të mirë. Një burrë shkoi te Resulullahu (a.s.) dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Cili xhihad e ka shpërblimin më të madh?” Përgjigja që i dha Pej­gamberi (a.s.), ishte: “Xhihadi i atyre që e përkujtojnë shumë Allahun Teala.” Kur burri e pyeti përsëri: “Cili agjërim e ka shpër­blimin më të madh?”, Profeti i Zotit ia ktheu: “Agjërimi i atyre që i bëjnë shumë dhikër Allahut Teala.” Pas këtyre dy pyetjeve, ky person i tha Resulullahut, (a.s.), se cili namaz, zekat, haxh dhe lëmoshë e kishte mirësinë më të madhe. Përgjigja që mori ishte: “I atyre që e përkujtojnë shumë Allahun.” Pasi Ebu Bekri (r.a.), e dëgjoi këtë përgjigje, i tha Omerit (r.a.): “O Ebu Hafs! Ata që e për­kujtojnë shumë Allahun e morën të gjithë shpërblimin.” Nisur nga kjo, i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u drejtua nga ata dhe tha: “Po, ashtu është.”2

Bazuar në këto që thamë më sipër, besimtari duhet t’ia dijë vlerën kohës dhe jetën duhet ta vlerësojë si një mundësi e cila e shpie te falja hyjnore. Ai duhet ta vlerësojë kohën me ibadet apo me vepra të dobishme dhe të gjitha punët e tij duhet t’i stolisë me përkujtimin e Allahut (xh.xh.). Për­kujtimin e Allahut Teala nuk duhet ta lërë vetëm për në mexhliset e dhikrit, por edhe gjuhën gjithmonë duhet ta preokupojë me sheha­detin, salavatet sherife dhe dhikre të tjera të ngjashme me këto. Kur të mos ketë mundësi për t’i thënë këto, atëherë duhet ta bëjë dhikrin me zemër, sepse njeriu në botën e përtejme kështu do të dëshirojë ta kishte kaluar jetën. Ata që nuk veprojnë në këtë mënyrë, do të pendohen shumë.3

E vërteta është kjo se çdo ajet i Kuranit Fisnik posedon mirësinë që mund të na shpie te lumturia e të dyja botëve. Hadithet e të Dërguarit të Allahut, (a.s.), janë shpjegimi më i saktë dhe influencues i Kuranit. Mjafton që t’i lexojmë, t’ua mësojmë edhe të tjerëve dhe t’i zbatojmë në jetë.

Leave A Reply