Si e fton Allahu i Madhëruar para Vetes robin e Tij? – Nga Osman Nuri Topbash

0

Allahu i Madhëruar i fton robërit e tij në Daru’s-Selam, pra në Xhenetin e Tij, që është vendi i shpë­timit dhe lumturisë. Por sigurisht që çdo ftesë ka edhe kushtet e pranimit sepse çdo mirësi e ka një çmim. Në Xhenet mund të hyhet vetëm me zemër të pastër, të ndritshme e të purifikuar. Kjo pastërti zemre është viza e hyrjes në Xhenet.

I nderuari Ebu’l-Hasan Harakani thotë:

“Allahu i Madhëruar ju dërgoi të pastër në këtë botë, prandaj mos dilni të papastër para Tij!” (Ha­rakani, Nuru’l-Ulum, fq. 258.)

Megjithëse njeriu e ka burimin nga uji i turbullt, kur lind ai ka aromë të këndshme, sy të përdritur dhe aftësi për të paqtuar zemrat. E gjitha kjo zë fill prej të qënit të tij i pafajëshëm dhe i pastër nga gjynahet. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar dëshiron që ne të mbetemi të dëlirë ashtu siç jemi dërguar në këtë botë, të bëjmë një jetë të pastër, të kemi librin e punëve të panjollosur dhe të kthehemi përsëri tek Ai me zemër të kulluar.

Në Xhenetin e bukurive nuk mund të hyhet me papastërtinë e gjynaheve. Gjynahet janë njolla që nxijnë zemrën dhe shumimi i këtyre njollave bëhet shkak i verbimit të syrit të zemrës, gjë e cila çon në humbjen e kujdesit ndaj harameve.

Omer ibn Abdulazizi ka thënë:

“Haramet janë zjarr. Dhe drejt tyre e zgjasin dorën vetëm ata që kanë zemra të vdekura. Nëse ata që i zgjasin duart do të kishin zemra të gjalla, patjetër që do ta ndjenin nxehtësinë djegëse të atij zjarri.”

Zemrat të cilat nxihen nga gjynahet janë të verbra edhe ndaj dritës së të vërtetës. Lidhur me këtë, në Kuranin Fisnik sqarohet:

“…Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.” (Haxhxh, 46.)

“Ai, që në këtë botë ka qenë i verbër, do të jetë i verbër edhe në botën tjetër dhe më i humbur nga rruga e drejtë.” (Isra, 72.)

“Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.” (TaHa, 124.)

“Ai do të thotë: «O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë?»” (TaHa, 125.)

(Allahu) do t’i thotë: «Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato, e po kështu sot do të jesh i harruar.»” (TaHa, 126.)

Shkurtimisht, ata që vijnë vërdallë me fytyra të vrenjtura e të ftohta, duke luajtur me indiferen­cë në shkollën e sprovave hyjnore brenda së cilës jetojnë, në botën tjetër do të jenë përjetësisht të verbër. Ndërsa ata, të cilëve u është verbuar syri i zemrës nga errësirat e gjynaheve, nuk mund ta gjejnë rrugën e Xhenetit për tek i cili na fton Allahu i Madhëruar. Është e domosdoshme që para Allahu të dalim me zemër të pastër. Edhe Profeti ynë (a.s.) e ka bërë të ditur rrugën që do t’i bëjë dobi robit në botën tjetër:

“Allahu i Madhëruar nuk shikon pamjen dhe pa­surinë tuaj, por zemrat (sinqeritetin dhe devotshmë­rinë) dhe veprat tuaja.” (Muslim, Birr, 34.)

Gjatë leximit të Kuranit Fisnik do të vërejmë se Allahu i Madhëruar i fton robërit e Vet të dalin para Tij me “kalb-i selim”, “kalb-i munib” dhe “nefs-i mutmainne”. Më poshtë po sqarojmë pak më gjerësisht keto tre terma:

Kalb-i selim, është zemra e ruajtur nga prirjet egoiste dhe sulmet e tyre, ose e pastruar nga rëndesa e gjynaheve. Në Kuran theksohet:

“Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pa­suria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Shu’ara, 88-89.)

Në këtë botë të përkohshme, e cila është ara e mbjelljes së Ahiretit, njeriu duhet të përpiqet të përmbushë kushtin që Allahu i Madhëruar vlerëson më së shumti – “kalb-i selim / zemrën e pastër”, me qëllim që të arrijë shpëtimin e përjetshëm. Për arritjen e nivelit të “kalb-i selim”, pikësëpari është kusht që në zemër të zërë vend një besim i cili për­jetohet me dashuri e pasion, sepse vetëm në këtë mënyrë adhurimet mund të kryhen me përkushtim të lartë, në kuadër të harmonisë zemër-trup. Adhu­rimet që kryhen në këtë mënyrë janë vitamina për shpirtin.

Niveli “kalb-i selim”, të cilin Allahu i Madhëruar ia ka falur njeriut bashkë me natyrën e tij të pastër dhe ia ka lënë amanet, arrihet vetëm me pastrimin e egos dhe dëlirjen e zemrës. Në Kuranin Fisnik, Alla­hu i Madhëruar numëron disa cilësi të besimtarëve të vërtetë që zotërojnë nivelin “kalb-i selim”:

“…Prandaj, frikësojuni Allahut, rregulloni ma­rrëdhëniet midis jush dhe ibndjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë!

Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, fërgëllojnë kur përmendet Allahu dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten!.. (Po ashtu edhe)Ata që falin namazin dhe japin prej asaj që Ne ua kemi dhënë. Njëmend, ata janë besimtarë të vërtetë. Ata do të kenë shkallë përnderimi te Zoti i tyre, falje dhe furnizim bujar (në Xhenet).” (Enfal, 1-4.)

Kalb-i munib, është zemra që drejtohet përherë nga Zoti dhe në çdo situatë gjen të vërtetën dhe të mirën. Kjo zemër e ndan qartë të mirën nga e keqja, tregon gjithmonë rrugën e drejtë me të cilën është i kënaqur Allahu dhe vrapon drejt kënaqësisë së Allahut, sa herë që i jepet mundësia. Në një ajet fisnik urdhërohet:

(Do t’u thuhet:) «Kjo është premtuar për ju, për këdo që është penduar dhe ruajtur (nga gjynahet), që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu).»” (Kaf, 32-33.)

Nefs-i Mutmainne, është nefsi/egoja, e cila duke zbatuar siç duhet urdhrat e Allahut të Madhëruar dhe duke u ruajtur me kujdes prej ndalesave të Tij, ka shpëtuar prej sëmundjeve shpirtërore, ka gjetur paqen në besimin e vërtetë e të fortë dhe ka arritur të jetë e qetë dhe e kënaqur. Zemra është dëlirur prej dyshimeve dhe ngurrimeve me anë të begatisë së përmendjes së Allahut dhe në çdo çast falënderon dhe madhëron Allahun.

Në këtë gradë, cilësitë e shëmtuara e të këqija ia lënë vendin moralit të mirë. Po ashtu, në këtë gradë përjetohet mrekullisht, me një kënaqësi të papër­shkrueshme, morali i lartë i Profetit tonë (a.s.), i cili përbën majën e pjekurisë së sjelljeve dhe ësh­të shembull për të gjithë njerëzimin. Në këtë pikë zemra e njeriut kurorëzohet me durim, mbështetje tek Allahu, dorëzim dhe kënaqësi.

I nderuari Sami Efendi ka thënë:

“Mundësia e hyrjes në Islam, në kuptimin e plotë të fjalës, varet nga eliminimi i nefsit emmare dhe ndjekja me përpikëri e urdhrave hyjnorë. Islami që pranohet vetëm me zemër, para se të arrihet grada e nefsit mutmainne, quhet “Islam mexhazi/figurativ”, ndërsa besimi që arrihet pas ngritjes së nefsit/egos në gradën mutmainne, quhet “besimi i vërtetë”.4

Në këtë gradë asgjësohet perdja e trashë njerë­zore që pengon shikimin dhe shfaqet drita e së vërtetës.

Nefsi në këtë gradë, ka merituar edhe përmendjen në instancat hyjnore me fjalët:

“O ti nefs (ego, person, shpirt) i qetësuar!” (Fexhr, 27.)

Siç theksohet edhe në ajetin e mësipërm, për shkak të kënaqësisë së qëndrueshme që ky nefs ndjen ndaj Zotit të tij, ka fituar edhe kënaqësinë dhe pëlqimin e Zotit të vet. (shih. Fexhr, 28.)

Leave A Reply