Ka kader, s’ka qeder!

0

Nga Ali Riza Temel

Dija dhe caktimi nga ana e Allahut e gjërave që do të ndodhin, përfshi kohën, vendin, cilësitë, format dhe radhitjen e tyre, quhet “kader”. Kjo, shpreh ligjin hyjnor i cili rregullon sipas një sistemi dhe një mase të caktuar gjithësinë dhe të gjitha krijesat dhe ndodhitë në gjithësi.

Fakti që Allahu i di gjërat që më parë, nuk e eliminon vullnetin e robit, sepse dija është në bazë të njohurisë. Një gjë nuk ndodh për shkak se Allahut e di atë, por Ai e planifikon atë, sepse e di që ajo do të ndodhë. Eklipsi diellor dhe hënor nuk ndodhin sepse ato dihen që më parë, por regjistrohen sepse dihet se ato do të ndodhin.

Sipas nesh, koha ndahet në të shkuar, të tashme dhe të ardhme. Ndërsa për Allahun koha është një e tërë. Për Të, ekziston vetëm një “e tashme” që nuk ka as fillim dhe as fund. Ne i mësojmë ndodhitë pasi ato vijnë në ekzistencë. Ndërsa Allahu i di ato pa ndodhur dhe pa ekzistuar ende. Asgjë nuk ndodh pa e ditur Ai. Gjithësia nuk funksionon sipas rastësive qorre, por sipas ligjeve dhe programeve hyjnore.
Besimi në “kader”, është një prej kushteve të besimit. E mira dhe e keqja ndodhin në sajë të krijimit të Allahut. Krijues të dytë nuk ka! Ne e kërkojmë (e meritojmë), Allahu e Krijon. Vullneti i Allahut është gjithëpërfshirës dhe absolut, ndërsa vullneti ynë është i pjesshëm.

Nëse gjithçka e bëjmë ne, atëherë përse nuk bëjmë dot çdo gjë që dëshirojmë? Nga ana tjetër, nëse gjithçka e bën Allahu pavarësisht vullnetit tonë, atëherë përse turpërohemi ne për shkak të fajit që bëjmë? Përgjegjësia jonë buron prej dëshirës dhe vullnetit tonë. Veprat vlerësohen sipas qëllimeve. Në vepra nuk ka detyrim. Një vrasës, nuk mund të pretendojë se është i pafajshëm duke thënë se kështu ishte shkruar për mua. Detyra e tij, është të mos kryejë vrasje. Dikush që bën aksident në rrugë, fajësohet për shkak se nuk i ka respektuar rregullat e qarkullimit. Mirëpo, aksidenti mund të ndodhë edhe nëse rregullat e qarkullimit respektohen, me ç’rast njeriu nuk fajësohet.

Detyra e njerëzve është të respektojnë ligjet dhe të marrin masat sipas mundësive. Për shembull, mund të ndodhin tërmete, përmbytje, epidemi, etj., por ne nuk jemi përgjegjës për ndodhitë që janë përtej vullnetit tonë.

Shkurtimisht, Zoti ynë është Ai që di gjithçka para se të ndodhë, që planifikon dhe krijon. Ndodhitë procedojnë në bazë të programit të kaderit. Nëse i dorëzohemi dhe ndjekim këtë program, do të jemi të qetë. Rregulli i parë i notit, është të mos bësh panik. Deti e mban atë që i dorëzohet, por e fundos atë që lëkundet. Për shkak se trupi nuk kundërshton, ai noton mbi ujë. Dorëzohu dhe shpëto! Myslimani është njeri që dorëzohet. Bota makro dhe mikro janë të lidhura pas ligjeve të Allahut. Këtë e tregon qartë harmonia në Gjithësi. Prej mosbindjes formohet kaosi, ndërsa prej bindjes formohet rregulli. Po ashtu, edhe detyra jonë është të lidhemi pas ligjeve të Allahut, të tregojmë aprovimin tonë ndaj kaderit dhe të jetojmë pa bërë panik. Prej kaderit nuk mund të iket. Ata që përpiqen t’i ikin, jetojnë gjithmonë me frikë. E megjithatë, në fund ata pësojnë atë prej së cilës iknin dhe kishin frikë.

Në lidhje me kaderin ka shumë ajete dhe hadithe fisnike. Allahu i Madhëruar, urdhëron: “S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë…” (Hadid, 22-23)

Çdo gjë që ka ndodhur dhe do të ndodhë, është e regjistruar në dijen e Allahut. Ai që i beson kësaj, nuk qahet për mundësitë e humbura dhe nuk e shpërdoron jetën e tij duke u kapluar në dehjen e mundësive që i ka dhënë Allahu. Nëse pëson diçka, ai duron dhe merr mësim prej saj. Nëse arrin një mirësi, ai falënderon, nuk mburret dhe as nuk lazdrohet. Kjo, sepse që të dyja ndodhin në bazë të vullnetit dhe caktimit të Allahut. Besimtari nuk mburret me pasurinë si Karuni, por falënderon për mirësitë si profeti Sulejman (a.s.) dhe duron ndaj fatkeqësive si profeti Ejjub (a.s.).

“Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!” (Teube, 51)

Ai që ia atribuon gjithçka Allahut, është i fuqishëm dhe vetëm Atij i nënshtrohet. Ai beson se nuk mund të dilet jashtë kaderit. Ai e di se frika nuk të bën dobi para vdekjes. Ai vepron me guxim në përputhje me këtë dije dhe besim. Po ashtu, ai bën gjithçka që ka mundësi dhe, për atë që nuk ka mundësi ia lë në dorë Allahut. Kërkon ndihmë prej Tij dhe nuk i përulet askujt tjetër përveç Tij.

Gjithashtu, myslimani i ka parasysh gjithmonë këshillat që Profeti (a.s.), i dha Abdullah bin Abbasit (r.a.), kur i tha: “Bëj kujdes ndaj urdhrave të Allahut, që Allahu të kujdeset për ty dhe të të ruajë. Syno kënaqësinë e Allahut në çdo punë, që ta gjesh Atë para teje. Nëse do të kërkosh diçka, kërkoje prej Allahut. Nëse do të kërkosh ndihmë, kërkoje prej Tij. Dhe dije se, nëse mblidhen të gjithë njerëzit për të të siguruar ndonjë dobi, ata mund të sigurojnë vetëm atë dobi të cilën Allahu e ka caktuar për ty. Po ashtu, edhe nëse të gjithë njerëzit ngrihen të të dëmtojnë, ata mund të të dëmtojnë vetëm aq sa ka caktuar Allahu për ty. Kjo, sepse lapsi që shkruan kaderin, nuk shkruan më dhe shkrimet janë qartësuar aq sa nuk mund të ndryshohen më.” (Tirmidhi, Kijamet, 59.)

“Teuekkul”, do të thotë, të mbështetesh dhe t’i besosh Allahut, të strehohesh tek Ai, t’i kërkosh Atij, çdo gjë t’ia atribuosh Atij, të jesh i kënaqur me atë që të vjen prej Tij dhe t’i shohësh të bukura të gjitha ato që bën Ai.

Për njeriun, nuk ka ndjenjë më qetësuese se sa besimi se ekziston një kader që do të përjetohet. Nuk ka asnjë burim tjetër ngushëllimi më efikas që do t’i qetësojë revoltimet tona dhe do të na bëjë t’i pranojmë peripecitë e jetës. Kur jemi përballë një fatkeqësie, ne strehohemi tek besimi i kaderit, nën hijen e aprovimit dhe pas mburojës së besimit. Kjo, sepse nuk ka asnjë strehim dhe mburojë tjetër. Asnjë mirësi dhe mundësi materiale nuk mund ta ngushëllojë njeriun për humbjen e një të dashuri. Feja është ajo që i jep kuptim ndodhive, ekzistencës dhe zhdukjes.

Një botëkuptim materialist dhe pozitivist ia humbet kuptimin gjithçkaje. Mohimi i Allahut, e bën gjithçka të pakuptueshme. Ateistët përpiqen ta shpjegojnë ekzistencën me anë të “mosekzistencës”. Fundi i mosekzistencës, është përsëri mosekzistenca. Sipas jobesimtarëve, vdekja është vetëm një vrimë e zezë dhe në fund gjithçka shkon kot. Besimi në botën tjetër, u jep kuptim krijesave dhe ndodhive. Ai është shpëtim prej gjërave të kota dhe absurditeteve. Përveç fesë, asnjë ideologji dhe filozofi nuk mund t’u japë një përgjigje të arsyeshme pyetjeve, “përse ekziston bota, nga erdhëm, pse erdhëm dhe ku po shkojmë?”.

Një besimtar që i beson Allahut, programit të Tij të kaderit dhe mënyrës së Tij të veprimit, nuk ankohet duke thënë: “Përse unë, përse më ra mua kjo fatkeqësi?”. Ai beson se gjithçka është një sprovë dhe se buron prej një urtësie. Për rrjedhojë, ai nuk ankohet, nuk revoltohet dhe nuk tenton të vrasë veten. Ky ishte besimi dhe dorëzimi që i bëri të fortë profetët dhe të dashurit e Allahut.

Këtu po japim një shembull në lidhje me pranimin e kaderit dhe dorëzimin ndaj Zotit: Tenisti amerikan Arthur Ashe, i cili kishte fituar turneun e tenisit në Wimbledon më 1975, shtrohet në spital për shkak të infektimit me virusin e AIDS, që e kishte marrë gjatë një transplantimi të gjakut. Ky lajm u përhap me shpejtësi në të gjithë botën. Një prej admiruesve të tij, i shkroi një letër të cilën e fillon me pyetjen: “Përse ti?” Pastaj vazhdonte duke thënë: “Në botë ka 5 miliardë njerëz. Përse të ra ty kjo sëmundje? Përse Zoti të zgjodhi ty midis gjithë këtyre njerëzve?..” Kampioni, i cili tashmë gjendej në shtratin e vdekjes, i kthen këtë përgjigje admiruesit të tij: “Në të gjithë botën rreth 50 milion fëmijë fillojnë të luajnë tenis, por vetëm 5 milion prej tyre e mësojnë atë. 500 mijë prej tyre bëhen profesionistë, 50 mijë marrin pjesë nëpër gara, 5 mijë garojnë nëpër turne, 50 arrijnë deri në Wimbledon, 4 arrijnë në gjysmëfinale, 2 në finale dhe vetëm 1 prej tyre fiton kupën e turneut. Kur unë fitova Wimbledonin dhe ngrita kupën e kampionit, nuk e pyeta Zotin, “përse unë?” E si mund ta pyes unë tani, “përse unë”, kur ndodhem në një qoshe të spitalit duke vuajtur nga krizat? Kjo është shprehja e një dorëzimi të vërtetë. Ky besim nuk ka ndikim kalimtar si ilaçet qetësues.

Besimi në kaderin, është ilaçi i qedereve. Ky është besimi që ëmbëlson dhimbjet, që lehtëson vështirësitë, që i kthen të përpjetat në tatëpjeta, vuajtjet në mirësi dhe depresionin në qetësi. Profeti ynë (a.s.), me këtë besim dhe me këtë dorëzim, ka realizuar revolucionin më të madh në botë. Ashtu siç e ka jetuar vetë këtë dorëzim, ai ia ka këshilluar edhe besimtarëve. Kur ai bëhej gati për të fjetur, merrte abdest, shtrihej në të djathë dhe bënte këtë dua: “O Allahu im! Shpirtin tim ta dorëzova Ty. Çështjen time ta kam dorëzuar Ty, fytyrën time e ktheva kah Ti, shpinën time e mbështeta tek Ti, duke shpresuar tek Ti e duke u frikësuar prej Teje. Nuk ka shpëtim dhe as strehim tjetër përveçse tek Ti; I kam besuar librit Tënd, Kuranit, të cilin e ke zbritur dhe Profetit Tënd, Muhamedit, të cilin e ke dërguar!” (Buhari, Udu, 75.)

Leave A Reply