“Islami është po aq i hershëm në Europë sa është edhe Krishtërimi”

0

Nga Dr. Ardian Muhaj

Si titull të këtij shkrimi vendosëm fjalinë e fundit të një referati 90 minutësh të Ian Chambers, Professor i Universitetit të Napolit, në hapjen e një konference mbi kulturat e Mesdheut, mbajtur në javën e parë të nëntorit në Universitetin e Maltës.

Menjëherë mbas referatit vijuan pyetjet dhe diskutimet. I pari që nxitoi të fliste ishte një profesor nga Malta, i cili e filloi reagimin e tij pikërisht duke kundërshtuar me nervozizëm të dukshëm fjalinë e fundit të Prof. Chambers që e zgjodhëm edhe për titull. Ai u shpreh i habitur se si mund të imagjinohej, pa le më të thuhej një gjë e tillë nga një personalitet i tillë si Prof. Chambers, kur nuk mund të ekzistonte asnjë pikë dyshimi se Islami ishte shumë më i vonshëm se sa Krishtërimi në Europë.

Kjo sipas tij ishte diçka e ditur dhe e njohur botërisht dhe nuk kishte arsye të vihej në dyshim dhe madje as të diskutohej. Përgjigja e Chambers ishte shumë e qetë dhe u përmblodh në dy fjalë: Europa nuk është thjesht një kontinent por edhe një proces. Ai përmendi vetëm një shembull. Deri në shekullin e XII në vendet Skandinave bëheshin sakrifica njerëzore ndaj idhujve paganë dhe një pjesë e mirë e Europës ishte akoma pagane kur Islami kishte shekuj që lulëzonte pikërisht në Europë.

Për koinçidencë sapo kisha dorëzuar për botim dy zëra enciklopedikë për një histori të ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e feve në botë, botim i një shtëpie botuese të mi­rënjohur në SHBA. Njëri nga zërat e enciklopedisë që dy koordinatorët e botimit më kishin caktuar ishte procesi i kristianizimit të Lituanisë. Pikërisht për këtë arsye edhe ishte e lehtë të hyja në logjikimin e Prof. Chambers dhe të kuptoj edhe nervozizmin dhe reagimin profesorit maltez.

Për lexuesin e painformuar konvertimi i Lituanisë në krishtërim do të mendohej se do të ketë ndodhur që në kohët antike, pak a shumë në kohën e Konstandinit të Madh apo me­njëherë mbas tij, kur edhe Perandoria Romake përvetësoi si fe zyrtare fenë e krishterë. Në fakt e vërteta është shumë ndryshe. Shteti i Lituanisë adoptoi zyrtarisht Krishtërimin si fe zyrtare, në vitin 1387, pra më se një mijë vjet mbas Konstandinit të Madh. Për çudi akoma edhe më të madhe, Lituania e fundit të shekullit XIV ishte një nga shtetet më të fuqishme të Europës së kohës, dhe kishte qenë e tillë për shekuj të tërë. Përfshinte në territoret e veta jo vetëm Lituaninë e sotme, por edhe një pjesë të Finlandës, Letoninë, Estoninë, Rusinë Balltike, Bjellorusinë, pjesë te Polonisë e Sllovakisë dhe shtrihej deri në Ukrainë.

Pikërisht në këtë kohë në tokat shqiptare një pjesë e feudalëve shqiptarë kishin pranuar sovranitetin osman dhe po në ato vite më 1389, ndodh edhe beteja e Kosovës që shndërron në vasalë osmanë një pjesë të madhe të feudalëve shqiptarë dhe ballkanas. Pra, thënë shkurt kristianizimi i një pjese të madhe të Europës veriore fillon në të njëjtën kohë me islamizimin e një pjese po aq të madhe të Europës jugore. Mbreti i fundit pagan i Lituanisë, ishte një luftëtar i regjur kundër kryqtarëve prusianë të Urdhrit Teutonik, të cilët kishin më se dy shekuj që luftonin pa reshtur për kristianizimin e lituanezëve, livonianëve, finlandezëve, estonezëve etj. Konvertimi i mbretit lituanez ishte një hap i mirëpeshuar politik. I lëkundur mes një martese me një princeshë ruse të shtetit moskovit apo një aleance martesore me princeshën trashëgimtare të Polonisë ai zgjodhi opsionin polak, duke u martuar me Jadvigën dhe duke u bërë mbret i super-shtetit Polako-Lituanez nën emrin Vladyslav Jagielo II. (1386–1434).

Megjithatë konvertimi i mbretit dhe i oborrit mbterëror në krishtërim qe shumë më i lehtë se sa konvertimi i popullsisë. Në fakt kjo ishte edhe arsyeja pse prusianët nuk e konsideronin si të sinqertë këtë konvertim dhe i vazhduan edhe për shumë vite fushatat kryqtare kundër popujve të Baltikut lindor e verior. Në betejën e Grunvaldit të vitit 1410, më se një dekadë mbas betejës së Nikopojës (1396) kur forcat kryqtare të grumbulluara pa shumë rregull u shpartalluan nga osmanët, forcat e bashkuara të shteti Polako-Lituanez më në fund i thyen keqas forcat e urdhrit të krishterë prussian dhe presioni i kryqtarëve u eliminua përfundimisht. Paganizmi vazhdoi të tolerohej në popullsitë e Europës veri-lindore pavarësisht se zyrtarisht krishtërimi ishte shpallur fe e vetme dhe vetëm në shekullin e XVII mund të thuhet se konvertimi i këtyre popullsive në krishtërim u krye.1

Këtu po flasim për periudhën e fundit të shtrirjes së pranisë së Islamit në Europë, atë osmane. Por, muslimanët kishin pothuajse një mijë vjet prani në Europën Perëndimore dhe kishin krijuar një qytetërim rrezatues, një nga ciklet qytetëruese më të rëndësishme në historinë botërore, pa të cilin është e vështirë të kuptohet vetë qytetërimi i sotëm europian. Në shekullin e XI, tre shekuj mbas themelimit të shtetit islam spanjoll, Baltiku dhe Deti i Veriut, pa të cilët sot nuk mund të konceptohet Europa, akoma nuk ishin kristianizuar, dhe pa frikë mund të thuhet se ajo Europë veriore që sot përbën bërthamën më të zhvilluar të asaj që ne e njohim për Europë ishte akoma pagane e politeiste. Po ashtu pagane e po­litesite ishte edhe krejt Europa Verilindore dhe dhe ajo Lindore nga stepat ruse e deri në detin Adriatik.

Madje nuk duhet harruar se veçanërisht në Ballkan, kishte ndodhur një proçes historik të cilit i është kushtuar shumë pak vëmendje, por që ka qenë pjesë e evoluimit historik të kësaj zone, pikërisht ai proces të cilin bizantinisti i njohur François Dvornik e emërton si de-kristianizim apo rikthim i shumicës së Gadishullit Ballkanik në paganizëm e politei­zëm pas kristianizimit të shekujve II-VI.2 Për rreth gjysëm mileniumi shumica e Ballkanit u rikthye në paganizëm për shkak të dyndjeve dhe vendosjes në Ballkan të popullsive të ndryshme, kryesisht sllave, të cilat shkatërruan sa mundën, duke rrafshuar qytete e fshatra. Aq më tepër që një pjesë e Ballkanit veçanërisht brendësia e tij dhe zonat malore nuk ishin kristianizuar akoma kur fillojnë valët e njëpasnjëshme të dyndjeve të paganëve gjermanikë, hunë e sllavë.

Në shekullin e IX-të kur misionarët e krishterë Ciril e Method rrekeshin me vështirësi t’u mësonin sllavëve abc-në e shkrimit, muslimanët hispanikë e italikë rrekeshin të ndërtonin mjetin e parë fluturues apo thelloheshin në komentimin e filozofëve të lashtësisë.

Në përfundim mund të themi se përgjatë dy mijë vjetëve të fundit Europa, jo vetëm si kontinent dhe koncept gjeografik, por edhe si qytetërim ka qenë njëkohësisht e krishterë, islame dhe pagane (ateiste). Prania e të tri këtyre besimeve ka qenë e vazhdueshme dhe Europa nuk bën kurrfarë përjashtimi në mesin e kontinenteve të njohur që nga lashtësia. Jo vetëm Europa, por edhe Afrika dhe Azia, kanë qenë gjithnjë të tilla.

Leave A Reply