Heshtja si virtyt

0

Nga Ebu Hamid El-Gazali

Gjuha përbën rrezikshmëri të lartë. Njeriu shpëton prej saj vetëm duke heshtur. Ndaj dhe feja jonë e bukur ka lavdëruar dhe nxitur heshtjen.

Hadithet lidhur me këtë çështje janë:

“Ai që hesht, shpëton (nga rreziku).”1

Në një tjetër hadith tjetër ai shprehet kështu:

“Të heshtësh është urtësi, por sa pak që e praktikojnë!”2

Abdullah b. Sufjan (r.a.), thuhet se ka dëgjuar të atin të thoshte:

Iu drejtova Resulullahut (a.s.), duke i thënë: “O i Dërguar i Allahut! Tregomë diçka që nga Islami, që kur ta bëj atë të më mjaftojë dhe të mos ndiej nevojën për të pyetur dikë tjetër pas jush.” Resu­lullahu (a.s.), më dha këtë përgjigje:

“Thuaj që i ke besuar Allahut dhe ji i drejtë!”

I ati i Abdullahut, Sufjan es-Sekafiu ka thënë:

“O i Dërguar i Allahut! Nga cila gjë duhet të ru­hem më shumë?”

Ndërkohë, Resulullahu më tregoi me shenjë tek gjuha.3

Ukbe b. Amir (r.a.), tregon:

Pyeta Resulullahun: “O i Dërguar i Allahut! Çfarë është shpëtimi?” Resulullahu m’u përgjigj kështu:

“Ruaje gjuhën. Sado të gjerë ta kesh shtëpinë, mos dil nga shtëpia, vetëm në raste të domosdoshëm dhe qaj për gabimet që ke bërë.”4

Sehl b. Sa’d es-Sisi, transmeton se Resulullahu (a.s.), të ketë thënë në këtë mënyrë:

“Mund të bëhem dorëzanë për të hyrë në Xhenet për atë që më premton se do të ruajë atë që gjendet mes dy nofullave dhe mes dy këmbëve.”5

Pejgamberi (a.s.), ka thënë kështu:

“Ai që ruhet nga rreziku i stomakut, organit gjeni­tal dhe gjuhës, ruhet nga të gjitha të këqijat.”6

Shumica e njerëzve shkatërrohen për arsye të dë­shirës së epshme të këtyre tre organeve. Pejgamberi (a.s.), u pyet një ditë:

– O i Dërguar i Allahut! Cila është vepra që më së shumti çon njeriun në Xhenet?

I Dërguari i Allahut (a.s.), u përgjigj:

Frika ndaj Allahut dhe edukata e mirë.

Pastaj u pyet, se cila është vepra që e çon në Xhehenem dhe Pejgamberi (a.s.), u përgjigj:

Dy gjëra që janë të zbrazëta nga brenda, pra goja dhe organi gjenital.7

Qëllimi me gojën është ose gjuha ose barku, sepse goja është vendi ku është gjuha. Goja është gjith­ashtu vendi përmes së cilit ushqehet barku yt.

Kur Muadh bin Xhebeli (r.a.), e pyeti Resulullahun

 

(a.s.), “O i Dërguar i Allahut! A do të kemi për­gjegjësi për ato çfarë themi?”, Resulullahu (a.s.), qe përgjigjur:

“Allahu të dhëntë të mira, o Ibn Xhebel! Çfarë mund të ketë tjetër gjë, përveç gjuhës që bën njeriun të zvarritet me fytyrë përdhe drejt e në Xhehenem?”8

Abdullah es-Sekafi (r.a.), tregon:

Iu drejtova Resulullahut (a.s.): “O i Dërguar i Alla­hut! Tregomë një punë të atillë, që kur ta veproj atë, të më mjaftojë.” Resulullahu (a.s.), m’u përgjigj duke kapur me dorë gjuhën:

“Kjo është!”9

Kur Muadhi (r.a.), e pyeti të Dërguarin e Alahut (a.s.), se cila është vepra më e virtytshme, ai nxori gjuhën e tij të begatë dhe e preku me gisht dhe tha:

“Të mund ta ruash këtë!”10

Sipas asaj çfarë transmeton Enes b. Maliku (r.a.), Resulullahu (a.s.), ka thënë:

“Përsa kohë që një njeri nuk e ka zemrën në rrugë të drejtë, s’ka si ta ketë imanin të rregullt. Pa pasur të rregullt gjuhën, nuk ka si të ketë zemrën në rrugë të drejtë. Nuk mund të hyjë në Xhenet një njeri, përsa kohë që fqinji i tij nuk është i sigurt prej tij.”11

Resulullahu (a.s.), ka thënë gjithashtu:

“Ai që do që të jetë gjithnjë i lumtur, le të mos ndërpresë heshtjen!”12

Në hadithe të tjera, Resulullahu (a.s.), ka thënë kështu:

“Kur njeriu mbërrin agimin, të gjithë organet shprehen njëzëri duke iu drejtuar gjuhës: Ki frikë nga Zoti! Vërtet, nëse ti do të ishe në rrugë të drejtë, edhe ne do të ishim në rrugë të drejtë. Nëse ti devijon nga e sakta, atëherë edhe ne devijojmë.”13

Sipas asaj çfarë transmetohet, kur Omeri (r.a.), pau që Ebu Bekri (r.a.), po tërhiqte me dorë gjuhën e vet, e pyeti me habi:

– Çfarë po bën kështu, o mëkëmbësi i Resulu­llahut?

Ebu Bekr es-Siddiku (r.a.), u përgjigj:

– Kjo është ajo që më ka hedhur në situata të vështira! Resulullahu (a.s.), ka thënë kështu:

“Të gjithë organet e trupit ankohen tek Allahu mbi rrezikun e gjuhës.”14

Ibni Mesudi, një ditë ishte ngjitur në kodrën Sefa dhe po thoshte: “Lebbejk, Allahumme lebbejk!..” dhe pastaj tha kështu:

“O gjuhë! Para se të pendohesh, fol gjëra të duhu­ra, që të dalësh e fituar. Nëse do të shpëtosh, kurrë mos thuaj gjëra të këqija.”

Pas kësaj, ai u pyet:

“O Ebu Abdurrahman! Këto po i thua ti apo i ke dëgjuar nga Resulullahu?”

Ndërkohë, Ibn Mesudi (r.a.), tha:

– Po, unë kam dëgjuar Resulullahun tek thoshte: “Vërtet shumica e gabimeve të njeriut burojnë nga gjuha e tij.”15

Ibni Omeri (r.a.), tregon: Resulullahu (a.s.), ka thënë kështu:

“Ai që e ruan gjuhën nga të këqijat e saj, Allahu ia mbulon të metat. Ai që kontrollon zemërimin e vet, Allahu i Madhëruar e mbron nga dënimi i Tij. Ai që i përgjërohet Allahut duke ia bërë të ditur gabimin, Allahu i Madhëruar ia fal gabimin.”16

Muadh bin Xhebeli (r.a.), i qe lutur Resulullahut (a.s.), që ai ta këshillonte për diçka dhe Pejgamberi (a.s.), i pati thënë:

“Bëj ibadet sikur të sheh Allahun e Madhëruar. Konsideroje veten prej të vdekurve. Nëse ke dëshirë, mund të të them edhe më shumë sesa kaq, që duhet të kesh.” Pas kësaj i bëri me shenjë nga gjuha.”17

Sipas transmetimit të Safvan bin Sulejmit (r.a.), i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“A t’ju tregoj për ibadetin më të kollajtë dhe që trupit i vjen më lehtë? Ajo është heshtja dhe edukata e mirë.”18

Sipas një transmetimit të Ebu Hurejres (r.a.), Pej­gamberi (a.s.), ka thënë:

“Ai që i beson Allahut dhe Ditës së Ahiretit, le të flasë siç duhet ose të heshtë!”19

Hasan Basriu (r.a.), thotë që: “Neve na është thë­në se Resulullahu (a.s.), ka thënë:

“Allahu e mëshiroftë atë njeri që kur flet fiton dhe kur hesht shpëton.”20

Isait (a.s.), i është kërkuar: “Na trego ndonjë ve­për, që nëse e bëjmë hyjmë në Xhenet.” Isai (a.s.), ka thënë:

– Mos flisni kurrë!

– Po nuk mund të mos flasim kurrë. – i thanë të pranishmit.

– Atëherë, flisni vetëm gjëra të mira.21

Davudi (a.s.), ka thënë: “Nëse të flasësh është argjënd, të heshtësh është flori.”22

Bera bin Adhib (r.a.), tregon:

Një ditë erdhi një njeri që jetonte në shkretëtirë dhe i tha Resulullahut:

– Tregomë një vepër që t’më bëjë të hyj në Xhe­net.

Resulullahu (a.s.), i tha:

“Jepi të hajë atij që është i uritur. Jepi ujë atij që ka etje. Urdhëroji për mirë. Pengoji që të mos bëj­në keq. Nëse nuk mund të bësh asnjë nga këto që thashë, atëherë, kontrolloje gjuhën, fol vetëm gjëra të mira.”23

Resulullahu (a.s.), ka thënë kështu:

“Mbaje gjuhën, thuaj vetëm të mira; sepse vetëm kështu mund të mundësh shejtanin.”24

Një tjetër hadith i Pejgamberit (a.s.), është kë­shtu:

“Allahu i Madhëruar është pranë gjuhës së çdo­njërit që flet.”25 Atëherë, le t’i frikësohet Allahut ai që di çfarë thotë!”26

Resulullahu (a.s.), ka thënë:

“Nëse shikoni ndonjë njeri që shumicën e kohës rri i heshtur dhe që është njeri me dinjitet, afrohuni atij, sepse atij i është dhënë urtësia.”27

Ibni Mesudi (r.a.), tregon: Resulullahu ka thë­në:

“Njerëzit ndahen në tri klasa. Ata që janë fitimta­rë, ata që shpëtojnë dhe ata që janë gjynahqarë. Ata që janë fitimtarë janë ata që i bëjnë dhikër Allahut të Madhëruar. Ata që kanë shpëtuar janë ata që heshtin. Kurse ata që janë gjynahqarë janë ata që zhyten në punë pavlera dhe të kota.”28

Resulullahu (a.s.), ka thënë:

“Gjuha e besimtarit është pas zemrës së tij. Kur ai do që të flasë diçka, pikësëpari e mendon me zemër atë. Pastaj e derdh në fjalë. Gjuha e hipokritit është para zemrës së tij. Kur do të shprehë diçka fillimisht e derdh në fjalë, pastaj mendon.”29

Isai (a.s.), ka thënë: “Ibadeti është dhjetë pjesësh. Nëntë prej tyre janë tek heshtja. Kurse njëra është tek ikja prej njerëzve.”

Pejgamberi (a.s.), ka thënë:

“Ai që flet shumë, ka edhe gabime shumë. Ai që ka gabime shumë, ka edhe gjynahe shumë. Ai që ka shumë gjynahe, Xhehenemi është më i merituar për të.”

Leave A Reply