Gjithmonë Elhamdulilah

0

Nga Enesi (r.a. ) transmetohet se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur Allahu i jep robit të Vet një mirësi, dhe ai thotë “Elhamdulilah”, falënderimi i tij është më i vlefshëm se ajo mirësi.” (Ibn-i Maxhe, Edeb, 55.)

Në këtë hadith fisnik, i Dërguari i Allahut (a.s.), thekson vlerën që ka shprehja “elhamdulilah” tek Zoti ynë i Madhëruar. Kjo shprehje, është fjalë madhështore që përmban kuptime të larta si, falënderim, lavd dhe madhërim.

Komentimi i kuptimit të shprehjes Elhamdulilah:

“E keni parasysh të vërtetën e “hamdit”, të cilën të gjithë e dinë dhe e kërkojnë si shpresën tyre të fundit? Ja pra, ai “hamd”, me të gjitha falënderimet, lavdërimet dhe madje me të gjitha gradët dhe format, i takon vetëm Allahut, është e drejta e Allahut dhe prona e Tij. Kjo, sepse Ai është Allahu!.. sepse… sepse!..” (Elmalili, I, 75.)

Fakti që emri i umetit të Muhamedit (a.s.), në xhenet do të jetë “Hammadun/Ata që falënderojnë shumë”, dhënia e pozitës “Makam-i Mahmdud” profetit tonë (a.s.) dhe emërtimi “Livau’l-Hamd”, i flamurit që do t’i jepet atij në mahsher, janë të gjitha në sajë të pozitës së falënderimit.

Elhamdulilah, është surja Fatiha

Surja e parë e Librit tonë të shenjtë, Kur’anit, Fatihaja, fillon me elhamdulilah. E gjitha kjo sure, është si një komentim i fjalës elhamdulilah, që është edhe hapja e saj. Shprehja elhamdulilah, është unifikuar aq shumë me suren Fatiha, saqë ndër popull, kjo sure njihet si “el-ham”, që nënkupton “el-Hamd”.

Elhamdulilah është namaz

Çdo ditë, në pesë kohët e namazit e fillojmë lutjen tonë ndaj Allahut me hamd/falënderim. I Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë: “Nuk quhet namazi i atij që nuk e lexon suren Fatiha në të.” (Buhari, Ezan, 94.) Ndërsa në fund të namazit, na ka këshilluar të themi 33 herë elhamdulilah. (shih. Ebu Daud, Vitr, 24.) Në fillim të namazit elhamdulilah, në fund të tij elhamdulilah… Kështu që i gjithë namazi, nga kreu deri në fund është elhamdulilah…

Elhamdulilah përfshin gjithë jetën tone

Në përputhje me sunetin e Profetit tonë (a.s.), në çdo fushë dhe pjesë të jetës sonë të përditshme, që kur zgjohemi nga gjumi, kur shkojmë në shtrat, kur hamë dhe përfundojmë ushqimin apo pijen, kur ligjërojmë, kur teshtijmë, madje edhe pas kryerjes së nevojave personale, e falënderojmë Zotin tonë.

Elhamdulilah i shton të mirat

Zoti ynë i Madhëruar, ka thënë: “…Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia…” (Ibrahim, 7.) Pra, besimtari duhet të falënderojë përballë mirësive që i ka dhënë Allahu dhe, duke thënë “elhamdulilah”, Allahu i Madhëruar ia shton edhe më tepër ato mirësi.

Elhamdulilah do të thotë të jesh i kënaqur

Profeti ynë dashur (a.s.), ka thënë: “Shikoni ata që janë më poshtë se ju në mirësi, e jo ata që janë më lartë, sepse po shikuat ata që janë më poshtë se ju, është më mirë për ju, me qëllim që të mos i nënvleftësoni mirësitë që ju ka dhënë Allahu.” (Muslim, Zuhd, 9.) Për këtë arsye, besimtari duhet të mjaftohet dhe të kënaqet me atë që i ka dhënë Allahu dhe, duke thënë elhamdulilah, duhet ta falënderojë Atë për ato mirësi. Në një hadith tjetër, Profeti ynë (a.s.), ka thënë: “Allahu i Madhëruar kënaqet kur robi i Tij thotë elhamdulilah pasi ha apo pi diçka.” (Muslim, Dhikr, 89.) Pra, Allahu i Madhëruar kënaqet me robin që e falënderon.

Elhamdulilah, do të thotë të jesh i kënaqur me Allahun

Të jemi të kënaqur prej Tij në çdo situatë… Edhe kur na jep, edhe kur nuk na jep… Edhe kur na dhuron, edhe kur na privon… Duhet të themi gjithmonë: “Edhe lehtësia edhe vështirësia që vjen prej Teje është e bukur!”…Profeti ynë i dashur (a.s.), na tregon një dialog që bëhet midis Allahut dhe melekëve të Tij: “Kur një robi i vdes fëmija, Allahu i Madhëruar u thotë melekëve: – Ia morët fëmijën robit Tim, apo jo? – Po! –thonë melekët. Allahu urdhëron: – Ia këputët frutin e shpirtit robit Tim? – Po! –thonë melekët. Allahu urdhëron: – E çfarë tha robi Im në atë moment? – Të falënderoi Ty dhe tha: “inna lillahi u inna ilejhi raxhiun / Prej Allahut kemi ardhur dhe tek Ai do të kthehemi!” Pas kësaj, Allahu i Madhëruar, urdhëron: – Atëherë ndërtoni një pallat për robin Tim në xhenet dhe vërjani emrin «pallati i hamdit»” (Tirmidhi, Xhaniz, 36.)

Elhamdulilah, është mirënjohje

Në një hadith fisnik, thuhet: “Falënderimi, është kreu i mirënjohjes. Kush nuk e falënderon Allahun, nuk tregon mirënjohje ndaj Tij.” (Bejhaki, Shuab’l-Iman, IV, 96.) I Dërguari i Allahut (a.s.), zakonisht i lutej Allahut në kohën para agimit dhe qëndronte gjatë në kijam dhe në sexhde. Njëherë, në një moment të tillë plot frymëzim, ishte ngritur nga gjumi dhe kishte falur namaz derisa i ishin ënjtur këmbët. Aisheja (r.a.), e cila e vuri re gjendjen e Tij, i thotë Profetit (a.s.): “Allahu t’i ka falur të gjitha gabimet e shkuara dhe ato që mund të bësh në të ardhmen. Pse e lodh kaq shumë veten?” Profeti ynë i dashur (a.s.), e ngriti kokën e tij të bekuar dhe nga goja e tij rrodhën këto fjalë: “O Aishe! A të mos bëhem një rob që është mirënjohës ndaj Allahut për të gjitha këto mirësi?” (Buhari, Tehexhxhud, 6.)

Elhamdulilah, do të thotë të mos bëhesh mosmirënjohës

Mosmirënjohja, është një cilësi e keqe që gjendet në potencialin e çdo njeriu. Besimtari, mundohet ta kontrollojë këtë cilësi të keqe me anë të frerëve të vullnetit. Mirëpo, tek njerëzit që nuk ia arrijnë kësaj, shfaqet cilësia e mosmirënjohjes. Për rrjedhojë, ashtu siç nuk e falënderon Krijuesin, njeriun nuk falënderon as njerëzit e tjerë. Lidhur me këtë, Profeti ynë (a.s.), ka thënë: “Kush nuk falënderon njerëzit, nuk falënderon as Allahun.” (Tirmidhi, Birr, 35.)

Elhamdulilah, është dua/lutje

Në Kur’an, urdhërohet: “…lutja e fundit e tyre (banorëve të xhenetit), është: «Falënderuar qoftë Allahu, Zoti i botëve»!” (Junus, 10.) Ndërsa Profeti ynë (a.s.), thoshte shpesh: “Elhamdulilah ala kulli hal / Falënderimi i takon Allahut në çdo situatë!” (Ibn-i Maxhe, Edeb, 55.)

Elhamdulilah është dhikir

Elhamdulilah, ashtu siç është hyrja e Librit tonë të shenjtë dhe e namazit, ajo është edhe kreu i çdo pune të mirë. Profeti ynë i dashur (a.s.), ka thënë:

“Çdo fjalë apo punë e kuptimtë që nuk fillon me falënderimin ndaj Allahut, është e pa begatë/pa sukses.” (Ibn-i Maxhe, Nikah, 19.) Në këtë mënyrë, Profeti ynë (a.s.), na e ka bërë të ditur se, nëse besimtari nuk i fillon fjalët dhe punët e tij me falënderim ndaj Allahut, fjalët dhe veprat e tij nuk kanë për të rezultuar të suksesshme.

Besimtari që kthen fjalën “elhamdulilah” në një dhikër të vazhdueshëm, e ndjen entuziazmin e këtij dhikri në thellësi të zemrës së tij kur thotë “elhamdulilah” dhe, më vonë, ky dhikër reflektohet në sjelljet e tij. Për rrjedhojë, ai e sheh dhe e ndjen Allahun në çdo vend, duke u përpjekur të jetojë në urtësinë e këtij ajeti fisnik:

“Lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar dhe bëhu prej atyre që i përulen Atij duke u falur! Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” (Hixhr, 98-99.)

Të jesh një rob që e falënderon Allahun në çdo moment, në çdo situatë, në çdo vend dhe kohë, në kamje dhe në skamje, është një lumturi e madhe dhe tregues i një morali të lartë. Zoti ynë na e bëftë të mundur të jetojmë të kënaqur dhe ta falënderojmë Atë gjithmonë!..

Leave A Reply