Detyrat tona ndaj Muhamedit -sal-lallahu elejhi ve sel-lem

0

Nga Naim Drijaj

  1. Besim i vërtetë në Muhamedin (a.s.) dhe vërtetimi i asaj që ka sjellë dhe që ka thënë

Allahu i Madhëruar thotë: “Besoni në Allahun, në të Dërguarin e Tij dhe në dritën (Kuranin), që ju kemi zbritur. Allahu e di mirë çdo gjë që bëni ju”.1 “…ruajuni Allahut dhe besoni në të Dërguarin e Tij (Muhamedin), se Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë; Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”.2

  1. Bindja ndaj tij

Ashtu siç është detyrë besimi në Muhamedin (a.s.) dhe në vërtetësinë e profetësisë së tij, po ashtu është detyrë edhe bindja ndaj Tij. Allahu (xh.sh.) thotë:

“O besimtarë! Binduni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos ia ktheni shpinën, ndërkohë që e dëgjoni (të vërtetën)”.3

“Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj”.4 “Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore”.5 “Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur”.6

Ebu Hurejra (r.a.) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Kush më bindet mua, i është bindur Allahut dhe kush më kundërshton mua, ka kundërshtuar Allahun”.7 Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “I gjithë umeti im do të hyjnë në xhenet përveç atyre që refuzojnë! Sahabët pyetën: E kush janë ata që refuzojnë o i Dërguari i Allahut? Ai (a.s.)!, iu përgjigj sahabëve duke iu thënë: “Kush më bindet mua ai do të hyjë në xhenet, ndërsa kush nuk më bindet mua, ai ka refuzuar.”

  1. Pasimi dhe marrja e tij si model në të gjitha çështjet

Allahu i Madhëruar thotë:

“Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”.9

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun”.10

“Pasojeni atë (Muhamedin), që të jeni në rrugën e drejtë”!11 Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kush nuk e pranon rrugën time, nuk është prej meje (nuk është mysliman i mirë)”.12

  1. Dashuria për Muhamedin  (a.s.)

Allahu (xh.sh) thotë: “Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni derisa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur”.13

Enesi (r.a.) tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Asnjëri prej jush nuk e ka të plotë besimin, derisa të jem më i dashur për të sesa fëmijët, prindërit dhe të gjithë njerëzit”.14

Një person e pyeti Pejgamberin (a.s.) se kur do të bëhet Kiameti. Pejgamberi (a.s.) i tha: “Çfarë ke përgatitur për atë ditë? Ai iu përgjigj: “ O i Dërguari i Allahut! Nuk kam përgatitur ndonjë agjërim, namaz apo zekat të shumtë (vullnetar), por unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e tij”. Pejgamberi (a.s.) i tha: “Njeriu do të jetë me atë që do”.15

Enesi (r.a.) ka thënë: “Pas mirësisë së Islamit, gjëja që na ka gëzuar më shumë ka qenë kjo fjalë e të Dërguarit të Allahut: “Njeriu do të jetë me atë që do” Unë e dua Allahun, e dua të Dërguarin e Tij, e dua Ebu Bekrin dhe Umerin”.16 Po ashtu edhe ne e duam Allahun, e duam të Dërguarin e Tij, e duam Ebu Bekrin (r.a.), e duam Umerin (r.a.), i duam të gjithë sahabët, tabi’inët, dijetarët dhe të gjithë myslimanët.

Abas ibn Abdul Mutalibi (r.a.) tregon se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “E ka provuar shijen e besimit ai person, i cili është i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhamedin si të Dërguar”.17

Shenjat e dashurisë për të Dërguarin e Allahut janë: pasimi i tij, ndjekja e rrugës së tij, zbatimi i urdhrave të tij, frenimi nga ato që ai ka ndaluar dhe pajisja me moralet e tij, si në rastet e vështira ashtu edhe në rehati. Nuk ka dyshim, se kur një person e do dikë, i jep më shumë përparësi atij dhe mundohet të veprojë sipas dëshirave të tij, përndryshe ai nuk është i sinqertë në atë që pretendon.

  1. Respektimi, nderimi dhe mbrojtja e tij

Allahu (xh.sh) thotë:

“…që t’i besoni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që ta ndihmoni e ta nderoni atë (Muhamedin)”.18

“O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kijeni frikë Allahun!…”.19

Urvete bin Mesud, pasi lidhë marrëveshjen e paqes me myslimanët në luftën e Hudejbijes, në vitin e gjashtë të hixhretit. Kthehet në Mekë dhe i’u tregon shokëve të vet si e respektonin sahabët Muhamedin (a.s) dhe si i zbatonin urdhrat e Tij: “Kam hyrë tek mbretërit e Persisë, romakëve e të Abisinisë, por nuk kam parë asnjërin prej atyre (mbretërve) të respektohet prej shokëve të tij, siç i kam parë shokët e Muhamedit duke e respektuar atë.

Nëse i urdhëronte për diçka shpejt i përgjigjeshin, e kur ai merrte abdes shtyheshin se cili prej tyre të ia marrë ujin e abdesit, për ta përdorur ujin për bereqet. Kur fliste ai ata e ulnin zërin dhe e përcillnin me shikim nga respekti dhe nderimi që posedonin ndaj tij.”

  1. Përshëndetja e Profetit (a.s.) me salavate dhe selame

Imam Ibn Kajimi, në librin e tij20 i ka përmendur 39 përfitime nga dërgimi i salavateve mbi Pejgamberin (a.s.)”. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe melekët e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam””.21 Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush çon një salavat për mua, Allahu e mëshiron dhjetë herë”.22

Enes ibn Malik transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “ Nëse përmendem në prezencë të dikujt, ai le të bjerë salavatë për mua, sepse kush bie një herë salavatë për mua, Allahu e mëshiron 10 herë”.23

Pejgamberi (a.s) ka thënë: “ Kushdo prej Umetit tim, i cili bie salavatë për mua me sinqeritet nga zemra, Allahu e mëshiron 10 herë, e lartëson 10 gradë, i shkruan 10 sevape dhe i fshin 10 të liga”.24

Ibn Mesudi (r.a.) tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu ka melekë shëtitës (lëvizës), të cilët më përcjellin selamet e Umetit tim”.25

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Njeriu më i afërt me mua në ditën e Kiametit është ai, i cili më ka dërguar më shumë salavate”.26

Profeti (a.s.) ka thënë: “Koprrac i vërtetë është ai, i cili e dëgjon emrin tim dhe nuk bie salavate për mua”.27

  1. Gjykimi me fjalët e tij

Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Binduni Allahut, binduni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, (Pra, drejtojuni Kuranit dhe Sunetit) nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur”.28

Kurse në një ajet tjetër Allahu (xh.sh) thotë: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për të gjykuar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht”.29 Gjykimi bëhet nëpërmjet Sunetit dhe Sheriatit të tij (Paqja qoftë mbi të).

Leave A Reply