Ata që do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari – Nga Osman Nuri Topbash

0

I Dërguari i Allahut, (a.s.), në një hadith fisnik na ka lajmëruar se disa njerëz do të hyjnë në Xhenet pa përjetuar vuajtjet e llogarisë:

“Zoti im më ka premtuar se do të vendosë në Xhenet shtatëdhjetëmijë persona nga ummeti im, pa i llogaritur dhe pa i dënuar. Në të njëjtën kohë, Ai më ka premtuar se për çdo njëmijë persona, do të hyjnë në Xhenet shtatëdhjetëmijë të tjerë dhe tre grushte të mbushur plot prej grushteve të Zotit tim3.” (Tirmidhi, Kiamet, 12/2437; Ibn-i Maxhe, Zuhd, 34; Ahmed, V, 250.)

Ndërsa në një hadith tjetër, i dërguari i Allahut, (a.s.), na bën të ditur shpërblimin e madh që ka detyra e ruajtjes së kufirit në mbrojtje të atdheut dhe mirësitë që do të arrijë ai person që bie dëshmor në krye të kësaj detyre:

“Të bësh roje në kufi një ditë e një natë, është më e dobishme se një muaj i kaluar ditën me agjërim dhe natën me adhurim. Nëse personi vdes gjatë shërbi­mit të rojës, sevapi dhe shpërblimi i punës që ishte duke bërë, vazhdon gjer në Kiamet. Po ashtu, atij i vazhdon edhe furnizimi si dëshmor (në Xhenet), ndërsa në varr është i sigurt nga pyetjet e melekëve që kërkojnë llogari!” (Muslim, Imare, 163.)4

Njëherë, një sahab i nderuar pyeti:

“O i Dërguar i Allahut! Përse besimtarët sprovo­hen me pyetjet e melekëve në varr, ndërkohë për dëshmorin/shehidin bëhet përjashtim?”

I Dërguari i Allahut, (a.s.), iu përgjigj kështu:

“Sepse atij i mjafton si sprovë shkëlqimi i shpatës mbi kokë!” (Nesai, Xhenaiz, 112/2051.)

Kjo do të thotë se qëndrimi i tij përballë shpatave dhe mos hezitimi i tij në sakrifikimin e jetës në rrugë të Allahut, mjafton si provë e besimit të tij dhe nuk ka më nevojë për ndonjë sprovë apo llogari tje­tër. Ndërsa besimtarët që nuk vdesin si dëshmorë, duhet të kalojnë nëpërmjet një sprove besimi.

Përveç kësaj, kushti më i rë­ndësishëm i statusit të dësh­morit tek Allahu i Madhëruar, është “sinqeriteti”. Pra, statusi i dëshmorit bëhet vizë e hyr­jes në Xhenet pa u marrë në llogari, vetëm nëse ai bëhet posaçërisht për hir të Allahut dhe pa pritur shpërblim nga askush tjetër. Nisur nga kjo, dëshmorë mund të quhen vetëm ata që përpiqen për një qëllim të lartë, siç është për­hapja e fesë së Allahut dhe mos përdhosja e saj dhe simboleve të saj nën këmbët e armiqve, në tokën e atdheut ku feja e Allahut jetohet e lirë. Përndryshe, ata që vdesin duke u përpjekur për përfitime të kësaj bote si pasuri, pronë, famë apo nder, nuk mund të quhen dëshmorë.5

Domethënë, dëshmorët që do të hyjnë në Xhe­net pa dhënë llogari, janë besimtarët e sinqertë që presin shpërblimet e tyre vetëm prej Allahut të Ma­dhëruar, e jo ata që presin lavdërime dhe përfitime prej njerëzve në këtë botë.

I Dërguari i Allahut, (a.s.), ka lajmëruar:

“Kur njerëzit do të qëndrojnë për të dhënë llogari, do të vërehet një grup me shpata të vendosura në qafë dhe me plagë që u rrjedhin gjak, të cilët do të jenë të mblidhur para derës së Xhenetit. Do të pyetet:

«Kush janë këta?»

Do t’u thuhet:

«Këta janë dëshmorë. Në fakt ata nuk kishin vdekur, ishin të gjallë dhe furnizohe­shin nga Allahu!»

Më pas, një thirrës do të lajmërojë:

«Ata, shpërblimi i të cilëve i takon Allahut, të ngrihen e të futen në Xhenet!»

Ai do ta përsërisë këtë për herë të dytë:

«Ata, shpërblimi i të cilëve i takon Allahut, të ngrihen e të futen në Xhenet!»

Njerëzit do të pyesin:

«Kush janë ata, shpërblimi i të cilëve i takon Allahut?» Do t’u thuhet:

«Ata që i falnin njerëzit!»

Më pas, thirrësi do lajmërojë për herë të tretë:

«Ata, shpërblimi i të cilëve i takon Allahut, të ngrihen e të futen në Xhenet!»

Pas kësaj, do të ngrihen kaq mijë vetë dhe do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari.” (Taberani, Eusat, II, 285; Hejthemi, X, 411.)

Ndërsa Allahu i Madhëruar, lidhur me këta njerëz, shprehet kështu në Kuranin Fisnik:

“Shpërblimi për të keqen është i njëjtë me atë të keqe. Por, atë që fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut. Ai, në të vërtetë, nuk i do të padrejtët.” (Shura, 40.)

I Dërguari i Allahut, (a.s.), ka thënë:

“Mua m’u treguan të gjithë popujt. Një profet filloi të kalonte pranë meje dhe kishte me vete një popull. Kaloi një profet tjetër që kishte vetëm një grup. Ka­loi një profet që kishte vetëm dhjetë veta. Kaloi një profet tjetër që kishte pesë veta. Kaloi edhe një profet tjetër, por i vetmuar. Më pas, vura re një turmë të madhe… dhe pyeta:

«O Xhibril! Ky është ummeti im?»

Ai tha:

«Jo, por shiko horizontin!»

Kur pashë atje, vura re një turmë shumë të madhe. Më pas, Xhibrili (a.s.) tha:

«Ja, ai është ummeti yt! Ndërsa për ata shtatëdhjetëmijë persona që ndodhen në krye të tyre, nuk do të ketë as llogari, e as dënim!»

«Përse?» -pyeta unë. Xhib­rili (a.s.), u përgjigj:

«Sepse ata;

– Nuk janë përpjekur të kurohen duke u damko­sur me zjarr,

– Nuk kanë kërkuar prej askujt që t’u bëjë rukje (për t’i shëruar),6

– Ata mbështeten vetëm tek Zoti i tyre!»

Kur Profeti ynë (a.s.) tha këto fjalë, Ukkashe ibn Mih­san (r.a.) u ngrit menjëherë në këmbë dhe tha:

“(O i Dërguar i Allahut) Lutju Allahut që të më bëjë prej tyre!” I Dërguari i Allahut (a.s.) u lut duke thë­në:

“O Allah! Bëje këtë person prej tyre!” Më pas, një

sahab tjetër u ngrit dhe tha:

“Lutju Allahut të më bëjë edhe mua prej tyre!” Kësaj here, i Dërguari i Allahut, (a.s.), tha:

“Ukkashe ta kaloi në këtë çështje!” (Buhari, Rikak, 50; Muslim, Iman, 367-374.)

Ndërsa në një transmetim tjetër përdoret shprehja, “ata nuk bënin dhe nuk lejonin të bëhej magji”.7

Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut, (a.s.), na ka lajmëruar edhe për besimtarët e tjerë që do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari:

“Ditën e Kiametit, njerëzit do të mblidhen në një vend të sheshtë. Nëse u hedh shikimin, është e mu­ndur t’i shohësh të gjithë, e nëse dikush thërret, mund t’ia dëgjojnë zërin të gjithë. Atë ditë, një thirrës do të thërrasë tre herë:

«Sot, të gjithë do ta marrin vesh se kush janë në të vërtetë njerëzit më të çmuar!»

Pastaj do të thotë:

«Ku janë ata që ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne?»8

Ku janë ata të cilët shitblerja nuk i pen­gon për të përmendur Allahun dhe të cilët falin namazin e japin zekatin?»9

Më vonë, një thirrës do të lajmërojë përsëri:

«Sot, të gjithë do ta mësojnë se kush janë në të vërtetë nje­rëzit më të çmuar!»

Pastaj do të thotë:

«Ku janë Hammadun-ët, të cilët e falë­nderojnë shumë Zotin e tyre?»” (Hakim, Mus­tedrek, II, 433/3508; Bejhaki, Shuab, IV, 539.)

Shkurtimisht, nën dritën e ajeteve dhe haditheve të mësipërme, mund të themi se njerëzit më fatlumë, të cilët do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari, janë besimtarët që:

– Mbështeten plotësisht tek Allahut i Madhëruar

– Nuk besojnë në ogurin e zi

– Nuk bëjnë dhe nuk lejojnë të bëhet magji

– Nuk damkosin me zjarr

– Bien dëshmorë

– Falin njerëzit

– Ngrihen në namazin e natës 10

– Dhurojnë me sinqeritet për hir të Allahut

-Përmendin shumë Allahun, e falenderojnë vazh­dimisht Atë dhe për këtë arsye shpërblimi i tyre i takon Allahut.

 

Leave A Reply