Amaneti dhe tradhtia

0

Nga Ali Riza Temel

Allahu Teala thotë në Kuranin Fisnik: “O ju që keni besuar! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije.” (Enfal, 27.)

Njeriu i cili e ka marrë përsipër amanetin Hyjnor, me vullnetin e tij të lirë ka pranuar që të bëhet rob i Allahut Teala. Si rezultat, ai ka marrë përsipër të zbatojë urdhrat dhe të largohet nga ndalesat Hyjnore. Kjo është një përgjegjësi që buron nga fakti i të qenit njeri. Moskryerja e kësaj përgjegjësie është tradhti ndaj amanetit.

Besimtar është ai njeri që të tjerët i zënë besë, sepse ka besnikëri dhe e mban premtimin. Imani/besimi dhe amaneti vijnë nga e njëjta rrënjë në arabisht. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Ai (njeri) që të tjerët nuk i zënë besë, nuk ka fe.” Cilësia më dalluese e të Dërguarit të Allahut, (a.s.), ka qenë besnikëria. Për këtë arsye, atij i kanë pas thënë “Muhammedu’l-Emin / Muhamedi Besnik”.

Nëse një njeri fillon të tradhtojë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, mund të bëjë tradhti edhe kundrejt njerëzve në nder, pasuri, siguri të jetës dhe në çdo gjë tjetër. Kjo gjendje mund të arrijë deri në tradhti ndaj të drejtave, ligjeve, atdheut, popullit dhe vlerave shpirt­ërore. Për shkak të kësaj, formohet një shoqëri në të cilën njerëzit nuk i besojnë njëri-tjetrit dhe siguria e besnikëria zhduken totalisht. Tradhtia e vërtetë është mungesa e respektit kundrejt Allahut dhe të Dërgua­rit të Tij, dhe harrimi apo nënvlerësimi i detyrës së adhurimit kundrejt Zotit (xh.xh.).

Tradhtia vjen në krye të cilësive më të këqija. I Dërguari i Allahut, (a.s.), ka thënë: “Ka dy cilësi që nuk mund të jenë në karakterin e besimtarit. Ato janë tradhtia dhe mashtrimi.” (Ahmed ibn Hanbel, Musned, 5/252.) “Mysliman është ai njeri që prej dorës dhe gjuhës së tij nuk kanë dëm myslimanët e tjerë. Ndërsa besimtar është ai që njerëzit i besojnë në çështjen e jetës dhe pasurisë.” (Tirmidhi, Iman, 12.)

Myslimani nuk tradhëton askënd, sidomos Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ai nuk mund ta tradhtojë vë­llain e tij në fe. Nëse e tradhton, kjo quhet tradhti e madhe.

Kjo ngjarje tregohet si shkaku i zbritjes së ajetit fisnik që e kemi dhënë në krye: Beni Kurejdha, të cilët ishin prej çifutëve, u bashkuan me politeistët e Mekës përgjatë luftës së Hendekut dhe tentuan t’i godisnin myslimanët pas shpine, duke e shkelur marrëveshjen e Medines që ishte bërë në vitet e para të hixhretit. Kur kalaja e tyre u rrethua nga i Dërguari i Allahut, (a.s.), ata u gjendën në vështirësi. Për këtë arsye, kërkuan marrëveshje. Ata vendosën kusht për marrëveshjen që gjykatës të ishte Sa’d ibn Muadhi. Ebu Lubabe, i cili shkoi për t’u takuar si përfaqësues i myslimanëve, kishte marrëdhënie interesi me disa çifutë. Ndërkohë, aty kishte edhe një pjesë të anëtarëve të familjes së tij. Për këtë arsye, atyre u tha se kishin zgjedhur gjy­katësin e gabuar. U tha edhe se kjo do t’i çonte drejt vdekjes duke ua bërë me shenjë prerjen e fytit. Pastaj e konsideroi si tradhti kundrejt myslimanëve këtë që bëri dhe u pendua. Veten e lidhi te shtylla e xhamisë dhe tha se nuk do të hante derisa të falej. Nëntë ditë qëndroi i lidhur dhe i uritur. Më së fundi, i Dërguari i Allahut, (a.s.), i tha se ai ishte falur dhe ia zgjidhi litarët me duart e tij. Ebu Lubabe kërkoi të falte të gjithë pasurinë e tij si dëmshpërblim. Pas sugjerimit të të Dërguarit të Allahut, (a.s.), shpërndau vetëm një të tretën e saj.

Ka edhe prej atyre që thonë se ky ajet ka zbritur për Hatib ibn Beltean, i cili tentoi t’i lajmëronte fshehurazi Kurejshët për sulmin që i Dërguari i Allahut, (a.s.), do të bënte kundrejt tyre.

Cilido që të jetë personi për të cilin ka zbritur ajeti, e rëndësishme është që dhënia e sekreteve të shtetit armiqve, futja në vështirësi e të gjithë ummetit, prishja e vlerave humane e morale dhe tronditja e sigurisë në shoqëri, për interesa personale, asnjëherë nuk përpu­then me humanizmin dhe myslimanizmin.

Njeriu është i pajisur me disa dobësi. Për këtë arsye thuhet se nuk ka njeri të pagabueshëm. Por ne kemi për detyrë që të mos insistojmë në gabim dhe t’i drej­tohemi pendimit. Pra, të pendohemi si Ebu Lubabe që e ndëshkoi veten duke u lidhur në shtyllë. Ata që kanë shndërruar në cilësi të karakterit të tyrin mash­trimin, shtirjen dhe tradhtinë, nuk kanë asnjë lidhje me myslimanizmin.

Tradhtia ka ekzistuar në çdo kohë dhe në çdo fushë, edhe pse ajo është njëra prej cilësive më të këqija të njerëzimit. Shumë tradhti kanë ndodhur me dije­ni apo pa dijeni, nga jashtë apo nga brenda. Ndërsa tradhtia më e keqe është ajo që bëhet me dijeni dhe nga brenda.

Shuplaka më e dhembshme është shuplaka që vjen prej mikut. Ky ummet në shumicën e rasteve është tradhtuar dhe ka marrë goditje nga brenda. Hipokritët, agjentët dhe filialet e tradhtisë që janë vendosur në strukturën e popullit dhe ummetit tonë si mikrobet e dëmshme në trup, gjithmonë kanë prodhuar përçarje dhe e kanë tronditur unitetin e popullit dhe të ummetit. Marrja e masave mbrojtëse kundrejt armikut të njo­hur është krejt e lehtë, por marrja e masave kundrejt tradhtive të atyre që hiqen si miq është jashtëzakonisht e vështirë.

Ana më e tmerrshme e kësaj çështjeje është se disa pseudomyslimanë e bëjnë tradhtinë duke pandehur se po bëjnë ibadet. Një tradhti e tillë buron ose nga injoranca, ose nga verbimi, që u shkakton syve për­qindja e ndonjë interesi material.

Çdo gjë që fitohet nëpërmjet tradhtisë është e pa­vlerë sipas humanizmit dhe Islamit. Në Kuranin Fisnik thuhet: “Thuaj: “A doni t’ju lajmëroj për ata që, më së shumti, humbasin nga punët e veta, për ata, për­pjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira?” (Kehf, 103-104.)

Tradhtia ka mënyra dhe metoda të shumëllojshme. Tradhtia që bëhet duke shfrytëzuar ndjenjat e besimit dhe të mëshirës, veçanërisht kjo lloj tradhtie që mund të bëhet kundrejt miqve, është tepër e shëmtuar.

Sa krim i ulët dhe tradhti e rëndë është kryerja e këtyre veprimeve nën maskën e shërbimit fetar, duke e përdorur atë si mjet për t’i vrarë miqtë me duart e armiqve. Përdorimi i mundësive dhe burimeve njerë­zore si lëmoshat, zekatet, kurbanet dhe vakëfet për shkatërrimin a zhdukjen e ummetit, dhe dhurimi i këtyre burimeve atyre që janë armiq të këtij ummeti, në vend që të përdoren për rregullimin e ummetit e ndërtimin e brezave të rinj, është kulmi i tradhtisë. Kjo gjendje nuk është gjë tjetër veçse, siç shprehet edhe Muhamed Ikbali: “Shkatërrim i vetes dhe rregullim i të tjerëve.”

Këto organizata mafioze që veprojnë veçanërisht në petkun e fesë, besimit dhe xhihadit, me një fa­natizëm të madh për grupet e tyre, duke sulmuar në fshehtësi, duke vjedhur pyetjet e provimeve dhe duke vënë maskën e shtirjes, po i neveritin të gjithë njerë­zit që kanë ndërgjegje të pastër. Këto lloje grupimesh mallkohen nga të gjithë. Prej këtyre tradhtive që po bëhen në emër të fesë, po përfitojnë armiqtë dhe po humbasin miqtë.

Kamuflimi i këtyre veprimeve në formatin e xhi­hadit, është mashtrimi më i madh dhe më i ulët. Ne po i përjetojmë ditë pas dite vuajtjet dhe dhimbjet e këtyre tradhtive të brendshme dhe veprimeve të ulëta. Islamit është burimi i bashkimit, unitetit, vëllazërisë, sinqeritetit, besnikërisë dhe pastërtisë. Përdorimi i Is­lamit në anën e kundërt të tyre, futja e përçarjes dhe prishjes në shoqëri nëpërmjet intrigave të ndryshme, duke u shfaqur gjoja në rrugë të drejtë, dhe formimi i aleancave me armiqtë në plan të pasëm, janë ndër kurthet më tinëzare dhe të rrezikshme kundër vendit dhe ummetit.

Përdorimi i koncepteve fetare si Allahu, Kurani, Pej­gamberi, engjëlli, ëndrra, frymëzimi, mrekullia etj., në zbatimin e kurtheve dhe komploteve që burojnë nga injoranca, interesi, budallallëku dhe tradhtia, para së gjithash do të thotë degjenerim i këtyre koncepteve dhe ndyrje e përçmim i vlerave të shenjta.

Njerëzit mashtrues që janë shfaqur si Mehdiu apo Mesihu nëpërmjet manipulimit të masave të gjera, duke pretenduar se kanë arritur pozita të mistershme e të paarritshme, gjithmonë kanë qenë fatkeqësi për ummetin dhe janë përdorur si vegla prej shefave të tyre.

Armiku më i madh i një të vërtete është fallsoja e saj, sepse ka ngjasim në pamjen e jashtme. Shkaku kryesor i mashtrimit është ky ngjasim. Floririn e vërtetë dhe atë fals mund ta dallojë vetëm një argjendar specialist. Për këtë arsye, ne e kemi për detyrë tu japim të gjithë individëve largpamësi dhe t’i bëjmë të kujdesshëm kundrejt mashtrimeve shkatërrimtare. Në këtë më­nyrë, duhet ta nxjerrim shoqërinë nga naiviteti kurdo që të na jepet mundësia. Përderisa të mos rritet cilë­sia shoqërore dhe përderisa të mos konceptohen këto tradhti, është e pamundur të qëndrojmë në këmbë. Zoti e mbrojttë këtë popull dhe këtë ummet nga e keqja e tradhtive të brendshme dhe të jashtme. Amin!

Leave A Reply