A pastrohet lagjja pa pastruar shtëpinë?

0

Nga Sami Byjykkajnak

Në kohën tonë, po përjetohen shumë hallakatje dhe shpërbërje. Bukuritë dhe mirësitë që na janë trashëguar nga e kaluara, po lihen pas shpine në mënyrë të pakorrigjueshme. Refuzimi i trashëgimisë është bërë shumë i lehtë. Madje është bërë një lloj filozofie e kësaj jete. Botëkuptimi i të parëve tanë, ka filluar të shihet si një barrë prej së cilës duhet shpëtuar shpejt, sepse ajo nuk përputhet me kohën moderne. Që kur kultura dominuese e kohës, ka imponuar filozofinë e jetës shekullariste, të gjithë kanë humbur diçka prej jetës.

Gjithçka pësoi ndryshime, që prej familjes, lagjes, shtëpisë, marrëdhënieve farefisnore, veprimtarive tregtare, e deri tek marrëdhëniet njerëzore. Dhe, ky ndryshim zhduku edhe shumë virtyte të bukura.

Tashmë, familja nuk është më ajo që ka qenë. Pjesëtarët e familjes nuk mblidhen më së bashku në një vend. Por edhe sikur të mblidhen, të gjithë flasin në kokë më vete. Prandaj edhe nuk realizohet asnjë takim qoftë edhe me pjesëmarrjen më të ulët. Prindërit e kanë të vështirë t’i bëjnë fëmijët t’i dëgjojnë. Ata nuk janë të sigurt se si do të vijë në darkë fëmija i tyre, i cili gjatë gjithë ditës ka qenë jashtë. Ata janë të shqetësuar jashtë mase se me çfarë problemesh do të kthehen fëmijët e tyre të cilët i kanë dërguar në shkollë. Në ato pak momente kur janë të mbledhur në shtëpi, prindërit nuk u zënë besë fëmijë të tyre kur i shohin në sy, sepse gjymtyrët, duart, këmbët, sytë dhe gjuhët e tyre nuk janë në harmoni me njëra-tjetrën dhe nuk janë të qeta. Ata nuk flasin të njëjtën gjuhë dhe nuk kanë të njëjtin botëkuptim për jetën, sepse jashtë ka shumë ndikues të tjerë. Ata gjenden të rrethuar nga një sërë ndikuesish që i japin formë jetëve të tyre. Shkollat janë nën ndikimin e kulturës dominuese të kohës dhe besueshmëria e tyre është dobësuar shumë. Kur fëmijën e tuaj, të cilin përpiqeni ta edukoni sipas natyrës së pastër, e çoni në shkollë, ju nuk jeni të sigurt se me çfarë vesi do të kthehet në shtëpi. Pra, është e pamundur të thuash se, “shkollat janë të sigurta!”.

A mund ta mendoni!? Po flasim për pasigurinë e institucionit të edukimit. Nëse dyshoni në sigurinë e shkollave ku edukohen dhe arsimohen brezat, do të thotë se diçka nuk shkon siç duhet. Nëse fëmija nuk shkon i sigurt në shkollë dhe sytë tanë mbesin pas, atëherë është e pamundur të flasim për një ambient të përshtatshëm dhe të sigurt për ta.

As lagjet ku jetojmë nuk janë më të sigurta. Ata që dalin jashtë, janë gjithmonë të shqetësuar se me çfarë të keqe do të përballen në rrugë, e që do të kthehen në shtëpi me barrën e saj negative. Para 25-30 viteve, fëmijët luanin në rrugë dhe prindërit i lejonin pa asnjë problem. Aty zhvilloheshin lojëra të ndryshme dhe po në atë rrugë realizoheshin edhe marrëdhëniet e para shoqërore. Prindërit nuk kishin frikë se fëmijët e tyre mund të ktheheshin në shtëpi me vese të këqija, sepse ata ndodheshin edhe nën vëzhgimin e fqinjëve përreth. Nëse fëmijët grindeshin dhe nëse prej gojës së tyre dilnin fjalë të pista, ndërhynin menjëherë fqinjët në lagje.

Siç më ka treguar një shok, ai vet nuk kishte dëgjuar kurrë sharje, deri sa shkoi në shkollë të mesme. “Për herë të parë kam dëgjuar një “sharje” nga një shoku im i shkollës”- thotë ai. Madje, e kishte pyetur shokun e tij, “çfarë do të thotë kjo?”. Domethënë, lagja ku jetonte e luante, kopshti ku ka shkuar etj., kanë qenë kaq të pastër, saqë shoku im, deri në atë kohë është rritur me natyrshmëri të pastër. Shoku im nuk është shumë i vjetër. Mosha e tij është 37 vjeç tani. Pra, 25-30 vite më parë, ka pasur shumë lagje të sigurta dhe të pastra. Ndërsa sot, është e pamundur që fëmija të dalë në oborrin e pallatit dhe të luajë. Prindërit nuk mund ta lejojnë fëmijën të dalë dhe të rrinë në shtëpi të qetë.

Është e lehtë të bësh evidentimin e gjendjes. Por cila është zgjidhja?

Zgjidhja është t’i bëjmë shtëpitë tona që të bartin gjurmët e “Bejtullahut”, sepse çdo shtëpi duhet të bartë gjurmët e një Bejtullahu në aspektin e adhurimit. Në Kur’anin Fisnik, gjendet një urdhër drejtuar Ibrahimi dhe Ismailit (alejhimesselam): “Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur.” (Bekare, 125.) Për rrjedhojë, ne duhet ta marrim përsipër këtë detyrë të Ibrahimit dhe Ismailit dhe të bëjmë pastrimin e shtëpisë sonë. Ky pastrim, duhet të jetë si fizik, ashtu edhe shpirtëror. Pastrimi i shtëpisë nga papastërtitë shpirtërore dhe marrja e masave mbrojtëse që ajo të mos ndotet më, është puna më e rëndësishme, në sajë të së cilës mund ta bëjmë shtëpinë të bartë shpirtin e “Bejtullahut”.

Pastrimi i shtëpive, në të njëjtën kohë do të thotë edhe pastrim i lagjes dhe i shoqërisë. Një lagje e përbërë prej shtëpive të pastra, patjetër që do të ndikojë edhe në shoqëri. Si rezultat i kësaj pune për pastrim, do të vijë edhe shpëtimi, edhe pastërtia e shoqërisë.

Në të njëjtën mënyrë, edhe shpëtimi i shoqërisë së Beni israilëve, të cilët jetonin nën dhunën fizike dhe shpirtërore të faraonit, varej nga shpëtimi i shtëpive. Në lidhje me këtë fakt, në Kur’an gjejmë këtë urdhër të Allahut drejtuar Musait dhe Harunit (alejhimeselam):

“Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: «Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt, shndërrojini ato në faltore dhe falni namazin! Dhe sillu lajmin e mirë besimtarëve!»” (Junus, 87.)

Domethënë se, për të shpëtuar prej prishjes dhe ndikimit të ngushticës sociale, myslimanët duhet t’i rishikojnë shtëpitë e tyre dhe t’i kthejnë ato në vende adhurimi. Lagja e përbërë prej shtëpive ku lidhja me Allahun nuk është e fortë, është e sigurt që shoqëria e saj do të hyjë nën ndikimin e kulturës dominuese. Për rrjedhojë, është e pamundur të presësh një shoqëri të sigurt prej njerëzve që rriten në këto vende. Prandaj, që shtëpitë të jenë të pastra, ato duhen kthyer në vende ku falet namaz. Po ashtu, duhet shtuar edhe numri i shtëpive ku namazi falet me vetëdije të plotë. Këto shtëpi, janë garancia e mbushjes me aromë të mirë të lagjes që kundërmon erë të keqe, sepse shtëpitë e pastra, patjetër do të ndikojnë tek fqinji dhe, familja me probleme, do të ndikohet pozitivisht prej familjes së lumtur.

Leave A Reply