Thirrja për gjykim të shëndoshë

0

Ky shkrim, është një thirrje për gjykim të shëndoshë, që i drejtohet qarqeve të cilat njihen si “modernistë” ose “historicistë”, duke u nisur nga mendimi se “bashkohemi në pikën e përbashkët Islame”. Kjo është një thirrje që bëhet pa pretendime për superioritet.

Për këtë arsye, nuk do të shpreh dhe as që do të diskutojë se në cilën pikë të besimit ndodheni ju. Këtë mund ta bëj vetëm si një besimtar, me dëshirën që ju të mos përjetoni asnjë problem në çështjen e besimit. Të njëjtin kujdes tregoj edhe për veten time. Në fund të fundit, uniteti i besimit, na e bën të detyrueshëm një kujdes të tillë ndaj njëri-tjetrit.

Kjo thirrje për gjykim të shëndoshë, është për një shkak tjetër:

Ligjërimet tuaja moderniste dhe historiciste që fillojnë me cekjen e haditheve, dhe më pas kthehen duke “vënë në pikëpyetje vet Profetin (a.s.)”, trondit besimin e të rinjve që janë të detyruar të jenë nxënësit tuaj.

Ky problem, ndonjëherë bëhet i njohur nga debatet që bëjnë të rinjtë në lidhje me besimin, me tema të ndryshme si “deizmi”, etj. Ndonjëherë, del në pah për shkak të ndryshimeve që vënë re prindërit tek fëmijët e tyre.

Është realitet se, sot, ky fenomen ka arritur në dimensione të atilla, ku ata të cilët predikojnë të tilla mendime, akuzohen për “besim të dobët” nga ana e shtresës fetare. Dhe, vihet re qartë se, për shkak të pasojave që mund të lindë, kjo gjuhë akuzuese irriton shumë njerëz.

Në të njëjtën mënyrë, duke u shkëputur nga atmosfera e ndjenjave të thella Islame dhe duke u tërhequr në truallin e akuzave reciproke, këto debate krijojnë probleme të mëdha edhe në botën e mendimit. Por, është e pamundur që të shpëtojmë nga kjo duke akuzuar njerëzit vetëm me një bagazh dijesh të kushtëzuara nga procesi historik. Po ashtu, është e pamundur të shpëtojmë edhe nëse i konsiderojmë të rinjtë që vënë në pikëpyetje besimin e tyre, si “të rinj të shpëtuar”. Nëse nuk duam ta neglizhojmë gjendjen që do të katandisen marrëdhëniet e këtyre të rinjve me Islamin në hapin tjetër, ose nëse këta të rinj nuk duan të pësojnë diçka të tillë, le të bëjmë më parë një evidentim:

– Ky fenomen, nuk duket si një përpjekje për të kuptuar më mirë, duke medituar mbi Kuranin Fisnik.

– Ky fenomen, nuk duket as si përpjekje për evidentimin e transmetimeve që nuk i përkasin Profetit tonë (a.s.).

– Po ashtu, ky fenomen nuk duket as si shqetësim për përmirësimin e akides/sistemit të besimit të të rinjve.

Por, si duket?

– Prioriteti që i jepet Kuranit, synon t’i kufizojë kompetencat Profetit tonë (a.s.).

– Kritika ndaj hadithit, synon të bëjë të debatueshme çdo gjë që ka të bëjë me Profetin (a.s.).

– Pretendimi se një pjesë e ajeteve të Kuranit janë historike, synon që pas kufizimit të hapësirës së Profetit, të kufizohet edhe hapësira e Kuranit.

– Debati rreth përmbajtjes dhe mesazhit të disa ajeteve kuranore, synon të krijoi idenë se në Kuran mund të gjenden edhe ajete të tjera të debatueshme.

– Për më tepër, këto synojnë të lindin dyshime në lidhje me ato që janë shpallur nga Allahu i Madhëruar.

– Krahas këtyre, synojnë të lënë jashtë loje funksionet kufizuese të dy burimeve themelore të fesë, Kuranit dhe Sunetit, duke i bërë ato të manipulueshme.

Të gjitha këto, barten para popullit, gjë e cila shkakton irritimin dhe acarimin e shtresës fetare. Por, kur këto barten tek të rinjtë, ato krijojnë lëkundje të besimit tek ata.

Pyetja është:

A me të vërtetë këtë duam?

“Thirrja për gjykim të shëndoshë” mbështetet pikërisht në mendimin se nuk është kjo ajo që duam. Por, nëse ekzistenca e një problemi anashkalohet dhe mendimet më problematike i paraqiten hapur publikut, ose nëse, fjala vjen, ky problem bartet tek nxënësit e medreseve në mënyrë që të duket si “mision” dhe përdoret si truall për të edukuar “misionarë” nga fakultetet teologjike, atëherë eliminohet aspekti i sinqeritetit të çështjes dhe në lojë hyjnë llogari të tjera.

Prandaj lind pyetja: Nëse çështja është të konsiderohen të pamjaftueshëm Kurani dhe i Dërguari i Allahut dhe kapërcimi i kritereve të vendosura nga Fjala e Allahut dhe sunneti i Profetit tonë (a.s.), duke e reduktuar vlerën e tyre deri aty sa t’i konsiderosh “historike”, atëherë përse merren me Islamin? A nuk do të ishte më e zgjuar nga ana e atyre që përpëliten për këtë, të kërkonin një libër dhe një profet tjetër?

Çfarë do të bëni? “Do ta rregulloni?” Çfarë? Kuranin, fjalët e të Dërguarit të Allahut dhe parimet e tij të jetës? Pse? A nuk është më e lehtë të gjesh një “Zot” që do të zbresë ajete dhe profetë të tjerë? Nuk bën të gjendet një “Zot” tjetër, një “Profet” tjetër? Pra, puna është të rregullojmë Allahun, të rregullojmë Profetin, të vëmë në rrugë të drejtë Islamin, apo jo? Vallë, mos duken më lehtë këto?

Në qasjen e atij rrethi nuk po dëshmojmë respekt ndaj Kuranit. Nuk po shohim as respekt ndaj Profetit (a.s.). Cili ajet dhe çfarë problemi ka? Cili hadith mund të hidhet në gropën e së shkuarës? Pikërisht këtë lë të kuptohet kjo çështje!

Sahabët dhe dijetarët që kanë ardhur e kanë shkuar prej më se 14 shekujsh, janë botë që tashmë u është hequr viza me kohë!?.

Pika e parë e përkufizimit të fesë, është “Ta’dhim li emril-lah / Madhërim dhe respekt ndaj urdhrave të Allahut”. Kjo është një ndjesi zemre.

Por, çfarë kanë për qëllim shprehjet si, “Kurani mund të copëzohet” apo “Madhërimi i ajeteve të Allahut është një dobësi e myslimanëve”, përveçse përçmim? Unë, edhe përcjelljen e këtyre fjalëve këtu në këtë shkrim, e konsideroj si sulm ndaj Allahut, të Dërguarit të Tij (a.s.) dhe Kuranit Fisnik. Nuk ma bën zemra. Dua të kuptoj atmosferën e besimit dhe botën e ndjenjave të atyre që ua bën zemra. I trembur, shoh erozioni e respektit dhe lehtësinë me të cilën menaxhohen parimet Islame në ambientet ku rrihen këto mendime.

Por ne e dimë se:

Feja e Allahut nuk ka “nevojë” për besimin e këtij apo atij individi. Kush dëshiron, beson; kush nuk dëshiron, nuk beson. Po ashtu, edhe feja nuk e humbet vlerën e saj, nëse nuk beson ky a po ai. Kjo fe, ashtu siç ka parë besimtarë, ka parë edhe shumë jobesimtarë, hipokritë dhe nga ata që hyjnë në fe në mëngjes dhe dalin në mbrëmje.

Sprova e njeriut, është të gjejë kriteret e ardhura nga Allahu, t’i besojë ato dhe ta rregullojë jetën sipas tyre. Besimtarët ndjehen të lumtur më tepër kur pranë tyre ndodhet një besimtar tjetër. Hyrja e botës në Islam grupe-grupe i mbyt ata në gëzim të madh. Megjithatë, gjithsecili do të japë provimin e vet. Myslimanët mund edhe të përjetojnë kohë të vështira. Nëse një pjesëtar i ndonjë feje tjetër tërheq pas vetes njerëz të tjerë prej myslimanëve, ose nëse ndonjë myslimani i turbullohen mendimet dhe i lëkundet besimi, padyshim se është për tu hidhëruar. Por, nëse ndonjë prej myslimanëve fillon të vërdalloset hapur duke thënë, “shikoni si ua pështjelluam mendjen!”, dëmi i kësaj, në fillim prek zemrat e atyre që luajnë këtë rol.

Mbase edhe Zoti ynë i Madhëruar, për të tilla situata na e ka mësuar duanë e cila fillon: “Rabbena la tuzig kulubena ba’de idh hedejtena / Zoti ynë! Mos na i rrëshqit zemrat pasi na udhëzuar njëherë!”

Një gjykim i shëndoshë.

Mendje, por mendje e shëndoshë…

Largpamësi…

Vetëdija se ndodhemi para Allahut…

Vetëdija se nesër do të takohemi me Të dhe do të dalim para Tij…

Kuptimi i vlerës që ka Resulullahu (a.s.), tek Allahu dhe i lidhjes shpirtërore që pritet prej nesh…

Dosja e një jete që mund të mbrohet në botën tjetër…

Allahu na ndihmoftë në provimin e kësaj jete!..

Leave A Reply