Kurani, mrekullia e pafundme

0

Allahu Teala çdo pejgamberi i ka dhënë një mrekulli për të vërtetuar profecinë e tij. Ajo mrekulli jepej në atë çështje që nuk ishte e natyrshme për atë kohë. Për shembull, në periudhën kur magjia ishte në nivelin më të përparuar, Hz. Musai i mposhti të gjithë magjistarët me shkopin e tij. Nëse mund ta përfytyrojmë, Faraoni edhe pse kishte me vete ushtrinë prej mijëra ushtarësh, komandantët dhe thesaret,  mbeti pa asnjë rrugëzgjidhje kundrejt shkopit të Musait (a.s.) dhe u poshtërua ndaj popullit dhe burrave të tij. Në të njëjtën mënyrë, edhe Isai (a.s.), i ngjalli të vdekurit dhe i shëroi menjëherë sëmundjet që mjekësia nuk u gjente dot zgjidhje. Por sot nuk gjendet as shkopi i Musait (a.s.), as dija mjekësore e Isait (a.s.). Mrekullitë e tyre mbetën të kufizuara me atë kohë, sepse këta pejgamberë kanë qenë dërguar për popuj të caktuar në një kohë të caktuar. Ndërsa Pejgamberi ynë, Muhamedi (s.a.s.), ka qenë i dërguar për të gjithë njerëzimin dhe për të gjitha kohërat. Ngaqë situata është e tillë, atëherë si ndryshe nga pejgamberët e tjerë, edhe mrekullia që iu dha atij duhet të ishte e përhershme.

Me të vërtetë, mrekullia e Kuranit që i është dhënë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i ka mahnitur njerëzit edhe me tekstin, edhe me kuptimin e saj. Edhe pse ka kaluar shumë kohë, Kurani Fisnik prapë se prapë nuk është vjetërsuar dhe nuk është manipuluar si librat e tjerë hyjnorë. Sot një hafiz që rritet në fund të Kinës nuk mund ta kuptojë gjuhën e një hafizi tjetër që rritet në ndonjë fshat të Afrikës, por nëse ndonjëri bën gabim në këndimin e Kuranit përgjatë namazit, tjetri mund ta korrigjojë. Nëse e shohim Librin tonë Fisnik nga aspekti i kuptimit, shkencat moderne dhe zbulimet shkencore vazhdimisht i mbështesin të vërtetat e Kuranit. Shumë njerëz mbesin pa fjalë kundrejt strukturës letrare, shkencore dhe psikologjike të Kuranit dhe hyjnë në Islam.

Bota perëndimore e cila nuk e ka mposhtur dot botën Islame me shekuj të tërë, e ka kuptuar se fuqia jonë vjen nga Kurani Fisnik. Si rrjedhojë janë përpjekur për të nxjerrë në pah gjëra të dyshimta nga Kurani Fisnik, në mënyrë që ta ndalonin përparimin e botës islame. Bazuar në këtë, së pari filluan të analizonin tekstin e Kuranit. Ata kërkuan kundërthënie dhe gabime duke menduar se edhe myslimanët do ta bënin të njëjtin manipulim siç e kanë bërë ata me librin e tyre. Po të gjenin disa kopje të ndryshme të Kuranit në çfarëdo cepi të botës qoftë, do të zgjidhej i gjithë problemi dhe do të thoshin: “Shikoni, Kurani nuk është fjalë e Allahut. Po të ishte ashtu, nuk do të kishte katër-pesë kopje të ndryshme.” Pasi orientalistët dështuan në këtë çështje, këtë herë filluan të sulmonin përmbajtjen e Kuranit. Ata hodhën mendimin më të rrezikshëm prej shumë mendimeve të humbura se gjoja Kurani është historik dhe se urdhrat e tij nuk përfshijnë të gjitha kohërat. Për fat të keq, prej njerëzve të mposhtur nga mendjemadhësia e nefsit në botën islame, pati prej atyre që u mashtruan nga ky mendim. Këta krahas vetes, e konsideruan si detyrë edhe ngatërrimin e kokave të myslimanëve të tjerë. Sipas këtyre të devijuarve, fjala e Allahut, i Cili është Krijuesi i gjithësisë, është historike dhe nuk ka fuqi për t’ju dhënë dritë të gjitha kohërave. Ndërsa përrallat që i shkruan me mendjet e tyre të pakta na qenkan universale. Pra, mendimet e tyre të devijuara qenkan mbi shekujt.

Siç është shprehur edhe imam Gazaliu, ata të cilët e marrin dijen, e cila është një dritë që vjen nga Allahu, për interesat e kësaj bote dhe për ta bërë veten të famshme, herët apo vonë janë të predispozuar për të devijuar. Për këtë arsye mistikët i këshillojnë dervishët fillestarë që sapo hyjnë në tarikat, të preokupohen më shumë me dhikër (përmendjen e Allahut). Kur besimtari të pastrohet me dhikër, atëherë fillon të lexojë Kuran dhe të preokupohet më shumë me këtë të fundit. Madje, teksa përparimi shpirtëror në fillim bëhet me dhikër, në fund merret për bazë përparimi me Kuran. Imam Rabbani e shpjegon si më poshtë këtë çështje:

“Ajo që është e përshtatshme për besimtarët fillestarë është preokupimi i tyre me dhikër dhe përpjekja për ta shkulur nga zemra çdo gjë derisa të mos mbetet në mendjet e tyre asgjë përveç Allahut (xh.xh.). Besimtari duhet të vijë deri në atë gjendje saqë, nëse të tjerët ia kujtojnë me imponim gjërat përveç Allahut, ai prapë se prapë pothuajse nuk i kujton fare ato. Ja pra, ata që hyjnë në rrugën e lartësimit shpirtëror mund të fitojnë të drejtën për të lexuar Kuran në vend të dhikrit pasi të jenë pastruar nga shirku dhe zotat e rremë. Këtej e tutje lartësimin shpirtëror mund ta realizojnë me këndimin e Kuranit.” (Mektubat, vëll. III, 4.)

Sipas Imamit, nëse në zemër gjenden aktive dëshirat vetjake dhe idhujt, para së gjithash duhet të hiqen këto, sepse fjala e Allahut nuk zë vend në zemrat e papastra dhe njerëzve dashakeqës u shton vetëm devijim. Njerëzit e tillë përpiqen t’i komentojnë sipas qejfeve të tyre dispozitat e Kuranit. Si shembull për këtë është ky paralajmërim që Hazreti Imam Rabbani ua bën mistikëve që e përdorin kamatën: “I nderuar! Të qenët haram të kamatës është vërtetuar me Kuran si për atë që ka nevojë, si për atë që nuk ka nevojë. Nxjerrja jashtë kësaj dispozite e njerëzve në nevojë absolutisht do të thotë shfuqizim i rregullit të Kuranit.” (Letra e 112-të)

Kurani është një burim udhëzimi i përhershëm. Themeli i edukimit shpirtëror është Kurani dhe Suneti. Xhunejd Bagdadi i cili ishte prej të parëve të misticizmit Islam, e shpreh këtë gjendje siç vijon: “Një njeri që nuk e mëson Kuranin përmendësh dhe nuk shkruan hadithe nuk mund të merret si shembull në këtë rrugë, sepse kjo dija jonë është e rrethuar me Kuranin dhe Sunetin.” (Kushejri, 107) “Kjo dija jonë është e vërtetuar me hadithet e të Dërguarit të Allahut.” “Përveç rrugës së ndjekjes së të Dërguarit të Allahut hap pas hapi, të gjitha rrugët e tjera që të shpien te Allahu janë të mbyllura për njerëzit.” (Kushejri, 107)

Në përgjithësi mistikët i kanë mbajtur me besnikëri këto parime të Xhunejd Bagdadit.

Si mund të quhet misticizëm Islam ai që i shfuqizon dispozitat islame?

Krahas kësaj, disa grupe kohëve të fundit po përpiqen ta përbaltin dijen e Kuranit me mendimet e devijuara që i kanë marrë nga fetë dhe filozofitë e huaja. Imami e kundërshton kështu këtë gjendje: “A nuk i shikon filozofët grekë, brahmanët e Indisë dhe jogistët (murgjit që bëjnë joga)? Pehrizi u ka dhënë atyre hare të egos. Andaj edhe ata kanë pandehur se kjo është diçka dhe e kanë pëlqyer veten. Madje Platoni budalla i besoi shumë nefsit dhe nuk iu nënshtrua Hazreti Isasë i cili ishte pejgamber në kohën e tij. Njerëzit e tillë thanë: “Ne jemi njerëz që e kemi gjetur rrugën e drejtë. Andaj nuk kemi nevojë për një prijës që të na shpie në rrugën e drejtë.” (Letra e 313-të)

Siç shprehet edhe Imami, disa grupe mistike mashtrohen nga dija shpirtërore që arrijnë dhe si rrjedhojë e neglizhojnë sheriatin i cili përbëhet nga dispozitat e Kuranit. Në një aspekt shkojnë pas rrjedhës së historianëve. Këto grupe që i hedhin mënjanë dispozitat e fesë dhe e shfaqin këtë të fundit sikur të përbëhej nga semaja, ritualet muzikore dhe një filozofi spirituale, mendojnë se dispozitat e Kuranit janë obligim vetëm për njerëzit e thjeshtë dhe besojnë se të ndriturit si vetë ata nuk janë të kufizuar me asnjë rregull fetar. Ky lloj komentimi i misticizmit për fat të keq përgjatë ditëve të sotme është shndërruar në një stil jete i cili sugjerohet jashtëzakonisht shumë. Kjo ndodh për arsye se, njerëzit që jetojnë me filozofinë kapitaliste i konsiderojnë rregullat e fesë në kundërshtim me interesat e tyre për sa i përket marrëdhënies me shoqërinë dhe paratë. Kur gjendja bëhet e tillë, atëherë kënaqësia shpirtërore në kontekstin e religjionit që nuk ka rregulla, por ka vetëm dashuri, sevda, muzikë dhe sema, përputhet plotësisht me epshet e këtyre nefseve. Në botëkuptimin e këtij misticizmi gradualisht normalizohen alkooli, imoraliteti dhe kamata apo një pjesë e tyre që e ka ndaluar feja. Sipas këtyre misticizëm do të thotë kënaqësi shpirtërore që njeriu i përjeton me zemër dhe jo në botën e jashtme. Imam Rabbani e mohon me këto fjalë botëkuptimin e një tasavufi / misticizmi të tillë dhe të devijuar: “Praktikat e mistikëve nuk mund të jenë argument në lidhje me të qenët haram apo hallall të ndonjë gjëje… Në këtë fushë janë të vlefshme fjalët e Imam Ebu Hanifesë, Imam Ebu Jusufit dhe Imam Muhamedit. Jo fjalët e mistikëve të njohur si Shibli dhe Ebu Husejn Nuri. Allahu Teala i mëshiroftë të gjithë! Disa mistikë të mangët të ditëve të sotme e kanë shndërruar semanë dhe kërcimin në fe në sheriat të tyre. Ata i kanë pranuar si argumente praktikat e shehlerëve të tyre në këtë çështje dhe i kanë konsideruar këto punë si ibadet ndaj Zotit. Allahu thotë në Kuran: “…Ata janë njerëz që e kanë bërë fenë e tyre lojë dhe argëtim…”  (En’am, 70)

Si përfundim, edhe mistikët, edhe myslimanët duhet të qëndrojnë larg çdo lloj mendimi apo praktike që e vë në dyshim Kuranin. Kurani Fisnik dhe dispozitat e tij gjithmonë janë të zbatueshme dhe gjithmonë posedojnë një dinamikë aktive. Atyre që mbrojnë të kundërtën e kësaj dhe që hedhin dyshime ndaj Kuranit duhet t’u jepet përgjigjja e duhur dhe duhet të luftohet me mendimet e tyre. Ne duhet të formojmë institucione të veçanta për ta bërë këtë dhe studiuesit duhet t’i mbështesim. Allahu Teala na ruajt të gjithëve prej çdo lloj mendimi dhe praktike të gabuar. Gjithashtu na e mundësoftë të gjithëve që t’i kuptojmë mrekullitë e Tij të cilat i kalojnë shekujt! Amin!

Kur filozofi (tenton) të sfidojë Kuranin…

Hazreti Mevlana e përmbledh në një formë të mrekullueshme në bejtet e mëposhtme qëndrimin kundrejt Kuranit të tipave që e lënë mënjanë udhëzimin e Kuranit dhe Pejgamberit dhe i besojnë vetëm mendjes së tyre duke e bërë idhull atë:

“Dikush që po lexonte Kuran, po këndonte ajetin: “Nëse uji humb thellë dhe nuk rrjedh, kush mund t’ua sjellë ujin e ëmbël?”

Allahu i Lartësuar thoshte: “Ujin mund ta fsheh në thellësitë e tokës, mund t’i thaj burimet dhe vendin mund të shkretoj.

Kush mund ta kthej ujin përsëri te burimi përveç Allahut i Cili është Bujari dhe Ndëshkuesi i madh?”

Një filozof i zakonshëm në ato momente po kalonte pranë mejtepit. Kur e dëgjoi këtë ajet, nuk i pëlqeu dhe tha: “Edhe ne e hapim tokën me kazmë dhe e nxjerrim ujin.” Natën ra për të fjetur. Në ëndërr pa një trim si luan. Ai trimi i gjuajti me shuplakë filozofit dhe ia verboi të dy sytë.

Atij filozofit i tha: “O njeri që nuk mendon! Nëse e mban fjalën, nxirr me kazmë nga sytë e ty dritë (që të shohësh përsëri).”

Erdhi mëngjesi. Ai u hodh nga shtrati dhe u ngrit. Të dy sytë i ishin verbuar me të vërtetë. Drita e shikimit i ishte larguar nga sytë e tij.

Po të qante dhe të pendohej, drita e syve që i kishte ikur mund t’i vinte përsëri me mirësinë e Allahut. (Mesnevi, II, 1633-42.)

Leave A Reply